TIRANË – Siç ishte paralajmëruar, aktivistja suedeze me famë ndërkombëtare, Greta Thunberg, protestoi pasditen e kësaj të mërkurë në sheshin “Skënderbej”, për të ngritur “zërin” për vuajtjet e popullit palestinez, të shkaktuara nga Izraeli.
Protesta nisi në orën 18:00 dhe u zhvillua nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”. Numri i të pranishmëve në këtë protestë ishte jo i vogël. Ata mbrojtën fort kauzën e tyre dhe kërkuan me ngulm ndalimin e luftës në Gaza, me anë të deklaratave të ndryshme, që përcillnin solidarizimin e madh me palestinezët në Gaza.
Në disa momente, aktivistja Thunberg dukej teksa bënte thirrje në shqip: Liri për Palestinën. Gjithashtu, në fjalën e saj ajo theksoi se arsyeja pse lufta në Gaza ka degraduar në gjendocid është heshtja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj akteve të Izraelit, që kanë ardhur duke u përshkallëzuar.
Pas fjalimeve të mbajtura nga disa prej protestuesve në sheshin “Skënderbej”, pjesëmarrësit tentuan të marshojnë drejt kryeministrisë, por u penguan nga policia.
Mbi 100 organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë.
Ato, gjithashtu, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mercy Corps, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe Refugees International, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.
