Skip to content

Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, përshëndet marrjen nga Shqipëria të letrës “ftesë” për Pozicionin Negociues për Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, ka përshëndetur me entuziazëm marrjen nga Shqipëria të letrës zyrtare të ftesës për përgatitjen e Pozicionit Negociues për Grupkapitullin 5, që përfshin Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin.

Znj. Spiropali theksoi se:

“Ftesa e Presidencës Daneze për paraqitjen e Pozicionit Negociues për Grupkapitullin 5 dhe Konferenca Ndërqeveritare që do të mbahet së shpejti, përmbyllin çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave. Ky është një moment historik në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.”

Ajo theksoi gjithashtu se Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të japë mbështetje të plotë për:

  • Paraqitjen e Pozicionit Negociues,

  • Përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm rural,

  • Modernizimin e sektorit të bujqësisë, dhe

  • Forcimin e kohezionit social dhe territorial në të gjithë vendin.

Në përmbyllje, znj. Spiropali nënvizoi angazhimin e Kuvendit për të intensifikuar diplomacinë parlamentare, me qëllim përmbushjen e objektivit kombëtar: Shqipëria 2030 në BE.