Skip to content

“Krimi që tronditi Fierin: Vajza mbyt babanë me tel, nëna ndihmon në inskenimin e ngjarjes”

hudhra 19

Drejtoria Vendore e Policisë Fier/Zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi të rëndë në familje, përmes hetimeve të shpejta dhe profesionale.

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në fshatin Frashër të Fierit, ku si rezultat i hetimeve të thelluara, Policia ka zbuluar një vrasje të maskuar si aksident.

Një 26-vjeçare, shtetasja E. R., ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., 56 vjeç, përmes mbytjes me një tel (strangulim). Fillimisht, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, ajo ka kallëzuar në polici se i ati kishte humbur jetën në mënyrë aksidentale, brenda banesës së tyre.

Pas kësaj, Policia e Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, ka nisur menjëherë hetimet në kuadër të operacionit të koduar “Inskenimi”. Gjatë marrjes në pyetje të 26-vjeçares dhe verifikimeve të para në vendngjarje, u ngritën dyshime të forta se vdekja e 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se pas krimit qëndronte vajza e tij, e cila e kishte mbytur për motive të dobëta. Ajo dyshohet se është ndihmuar nga nëna e saj, 53-vjeçarja V. R., bashkëshortja e viktimës, e cila ka bashkëpunuar në pastrimin e trupit për të fshehur gjurmët dhe për ta paraqitur ngjarjen si një aksident.

Pas pastrimit të trupit dhe inskenimit të skenarit, E. R. ka lajmëruar Policinë, duke u përpjekur të largojë dyshimet ndaj saj.

Ndaj 26-vjeçares është marrë masa e arrestit, ndërsa e ëma është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë së saj në këtë krim.

Në përfundim të hetimeve, do të ketë një njoftim shtesë mbi përgjegjësinë penale të 53-vjeçares.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.