Skip to content

Situata e zjarreve në vend, Ministri i Mbrojtjes: Po përballemi me një nga ditët më të nxehta të verës, kemi 24 vatra aktive! Operacionet nga ajri do të rinisin në orët e para të mëngjesit

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vizitoi sot Qarkun e Beratit për të ndjekur nga afër situatën e zjarreve në zonën e Shpiragut dhe për të monitoruar operacionet ajrore që zhvillohen nga baza e Kuçovës, ku janë dislokuar avionë nga vendet partnere.

Ministri Vengu njoftoi se vendi po përballet me një nga ditët më të nxehta të verës, me temperatura deri në 44 gradë celcius, që favorizojnë përhapjen e flakëve dhe vështirësojnë punën e forcave në terren.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 36 vatra zjarri, prej të cilave 12 janë shuar, ndërsa 24 mbeten aktive, tha ministri.

Ministri tha se operacionet nga ajri janë ndërprerë për shkak të errësirës dhe do të rinisin në orët e para të mëngjesit, ndërsa puna në terren vijon pa ndërprerje me angazhimin e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe vullnetare në bashkitë e prekura.

Tre qarqet më problematike aktualisht janë Vlora, Dibra dhe Berati, ku ndërhyrjet ajrore dhe tokësore po vijojnë intensivisht, veçanërisht në zonat e Shpiragut, Paftalit, Borshit, Piqerasit, Selenicës, Shashicës dhe Kaninës. Autoritetet janë në gatishmëri për të mbrojtur banesat, rrjetin energjetik dhe infrastrukturën urbane.

“Jemi në gatishmëri të plotë. Forcat janë në terren dhe po mbajnë situatën nën kontroll për të mos lejuar përkeqësim gjatë natës,” tha ministri Vengu.

Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e fortë nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile dhe forcat ajrore italiane e kroate që po ndihmojnë me avionët Canadair në shuarjen e zjarreve.

Mbështetja nga partnerët tanë ka qenë e menjëhershme dhe e pakursyer,” përfundoi ministri.

Lexo edhe: Zjarret në jug, flakët dalin jashtë kontrollit edhe në fshatin Piqeras, vatra 150 metra larg banesave dhe bizneseve

Lexo edhe: VIDEO/ Zjarri në Borsh del jashtë kontrollit, flakët i afrohen zonave të banuara, alarmohen pushuesit dhe banorët: I lanë pas dore vatrat, zjarrfikësit s’kanë nga futen

Lexo edhe: Berisha: Borshi në flakë, asnjë ndihmë për banorët! PD shpreh indinjatën të thellë për reagimin minimalist të autoriteteve! Turistët të tregojnë kujdes

“”