Dua të sqaroj se deri sot, më datë 29 korrik 2025, në orën 08:30, nuk kam marrë asnjë ftesë zyrtare dhe asnjë shkresë nga SPAK. Vetëm në këtë orar, një gardian i IEVP “Jordian Misja” më informoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin pranë SPAK, pa dhënë asnjë sqarim apo dokument zyrtar.

Menjëherë u lidha me avokatin tim, z. Kujtim Cakrani, i cili ndodhej jashtë territorit të Shqipërisë në atë moment dhe e kishte të pamundur të paraqitej në SPAK në orën e përcaktuar në mënyrë jozyrtare nga një gardian.

Duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja procedurale dhe kushtetuese, do të paraqitemi në SPAK menjëherë sapo avokati im të jetë i pranishëm në territorin shqiptar dhe në gjendje të ndjekë procedurat përkatëse.

Mezi pres përballjen gjyqësore pas 6 vitesh hetimesh

Pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori i vitit 2019, pres me padurim nisjen e procesit gjyqësor për të çmontuar këtë farsë të mirëfilltë, e urdhëruar nga tribuna politike e Asamblesë së Partisë Socialiste.

Jam i vendosur që i gjithë opinioni publik, vendas dhe ndërkombëtar, të njohë vetëm një të vërtetë:

  • ZERO fakte penale!

  • ZERO prova penale!

  • ZERO akte apo vendime të paligjshme!

  • ZERO dëm financiar ndaj buxhetit të shtetit!

  • ZERO përfitime në kundërshtim me ligjin!

  • ZERO pasuri të paligjshme!

E vërteta nuk vonon, por gjithmonë del në dritë shkruan Ilir Meta në FB e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re