Skip to content

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasve në kërkim, goditjen e veprimtarive kriminale dhe rritjen e sigurisë publike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.6, kapën dhe ekzekutuan vendimin e Gjykatës për shtetasin E. H., 32 vjeç, e cila e ka dënuar me 6 vite bugim për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. 32-vjeçarit i ka mbetur për të vuajtur 1 vit e 9 muaj burg.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin U. H., 32 vjeç, pasi në ambientet e një lokali, për motive të dobëta ka goditur me grushte një 47-vjeçar.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan në flagrancë shtetasin D. P., 46 vjeç, për veprën penale “Ngacmimi seksual”. Arrestimi i tij u krye pasi gazetarët e emisionit investigativ “Piranjat”, mëngjesin e djeshëm, njoftuan shërbimet e Policisë, se 46-vjeçari kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare, të cilës i kishte dërguar fotografi me përmbajtje intime. Policia ndërhyri menjëherë në adresën e dhënë dhe mundësoi kapjen e shtetasit D. P., në ambientet e jashtme të një subjekti privat. Policia e Tiranës falënderon gazetarët për referimin e rastit, si dhe i fton ata të vijojnë të kërkojnë ndërhyrjen e Policisë, për çdo rast paligjshmërie, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin S. N., 30 vjeç, pasi për motive të dobëta ka kanosur një 30-vjeçare si dhe i ka thyer me gur xhamin e banesës. Punohet për kapjen e tij.

Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasit S. S., 30 vjeç dhe M. N., 34 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjëndje të dehur;
-arrestuan shtetasin A. L., 19 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur ka përplasur dy automjete të parkuara dhe më pas është larguar;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Ç., 35 vjeç, pasi tek Rrethi i Klanit, është përplasur me motomjetin me drejtues E. T., 30 vjeç. Si pasojë është dëmtuar 30-vjeçari, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.