Skip to content

Leonardo DiCaprio tërheq zemërimin e publikut: me një hotel në Izrael

Aktori i njohur Leonardo DiCaprio dhe kompania izraelite e ndërtimit Hagag Group kanë marrë miratimin përfundimtar për të ndërtuar një hotel spektakolar në një vendndodhje prestigjioze pranë Marinës Herzliya, një plazh luksoz pranë Tel Avivit.

Komisioni i Tel Avivit për Planifikim Hapësinor dhe Ndërtim dha dritën jeshile për projektin javën e kaluar, duke hapur derën për një nga investimet më ambicioze në hotele në vend.

Projekti po zhvillohet nga Hagag Marina Herzliya Ltd., një degë e Grupit të fuqishëm Hagag, të udhëhequr nga vëllezërit Tzachi dhe Ido Hagag. Hoteli i ri do të mbulojë një sipërfaqe prej 51,000 metrash katrorë, me një lartësi deri në 14 kate.

Përveç dy ndërtesave me 365 dhoma hoteli, projekti përfshin një pishinë të madhe, një qendër konferencash, një restorant të nivelit të lartë, ambiente tregtare, si dhe një hapësirë nëntokësore prej 8,000 metrash katrorë, nga të cilat 1,500 metra katrorë janë të destinuara për funksionin kryesor të kompleksit.

Një atraksion i veçantë do të jetë një marinë luksoze për jahte me qasje të drejtpërdrejtë në hotel, e cila do t’u lejojë mysafirëve të mbërrijnë direkt nga deti.

Megjithatë, ndërsa ekologjia është e rëndësishme publikisht për DiCaprio-n, për shkak të këtij projekti ai ka shkaktuar zemërim të madh publik.

Shumë kanë theksuar se një ambientalist nuk mund të ndërtojë hotele luksoze me marina për jahte.

Të tjerë e kritikojnë atë për faktin se ai është “padyshim i paprekur nga mizoritë e kryera nga izraelitët në Gaza”, dhe disa madje bëjnë thirrje për bojkotimin e filmave të tij.

“Nuk do të shikoj më asgjë nga filmat e tij”, “Kjo është e neveritshme”, “I vetëdijshëm për mjedisin? Në bashkëpunim me një vend që i vuan fëmijët nga uria? Është çështje zgjedhjeje”,Ai fsheh fytyrën kur është me Jeff Bezos dhe gruan e tij, por nuk ka turp të vazhdojë planet e tij për të ndërtuar një hotel luksoz në një vend që aktualisht po kryen spastrim etnik të fqinjëve të tij”, ishin vetëm disa nga qindra komente mbi projektin e saposhpallur. /tesheshi.com/