“A do ia festojmë dot ditëlindjen Aleas ne? Nuk do t’ia festojmë dot, sepse do të na kujtohet ngjarja tjetër”. Janë këto fjalët e bashkëshortit të 25-vjeçares Rexhina Debrova, nënës së re e cila humbi jetën në spitalin e Elbasanit, pas lindjes. Familjarët e së ndjerës, me foshnjen e porsalindur në duar dolën sot para Gjykatës së Elbasanit për të protestuar kundër lirimit të mjekëve Mehmet Ibaj dhe Niko Thana.
“Këta janë krriminelë”, “duhet të paguajnë”, ishin disa prej fjalëve që ata lëshuan në drejtim të mjekëve, të cilët i bëjnë fajtorë për ndarjen nga jeta te 25-vjeçares.
Megjithatë, gjykata vendosi që t’i lerë në detyrim paraqitje mjekun kardiolog dhe reanimatorin, deri në përfundim të ekspertimit mjeko-ligjor. Të martën, në protestë dolën edhe mjekët e spitalit të Elbasanit që kërkuan lirimin e kolegëve.



