Avokati i ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka reaguar për mediat pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku klientit të tij i është komunikuar zyrtarisht aktakuza lidhur me çështjet CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së.
Sipas Cakranit, komunikimi i akuzës nuk solli asnjë element të ri dhe prokuroria ende nuk ka dhënë përgjigje për kërkesën kryesore të mbrojtjes: të identifikohet kush ka bërë pagesat për lobimin në emër të LSI-së.
Avokati u shpreh se nga ana e mbrojtjes është ngritur vazhdimisht shqetësimi për mungesën e provave konkrete që të lidhin Metën me akuzat për pastrim parash apo korrupsion.
Sipas Cakranit, pjesa më e madhe e verifikimeve janë bërë në banka dhe institucione financiare të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe rezultatet kanë qenë të pastra.
“Meta ka zero korrupsion dhe zero pasuri të vendosur nga korrupsioni,” theksoi ai.
Avokati gjithashtu konfirmoi se çështja do të ndiqet në rrugë gjyqësore normale dhe se e gjithë seanca e sotme ka qenë e qetë, pavarësisht natyrës së akuzave.
“Nga ana ligjore ne do të ndjekim çdo procedurë të rregullt. Por kjo çështje nuk mund të ndahet nga aspekti politik – është e qartë që kemi të bëjmë me një proces të ngarkuar politikisht,” përfundoi Cakrani.
