Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të hënën me katër vjet e 11 muaj burgim një të dyshuar, pasi ai e pranoi fajësinë për dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë më 2023.
Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili e identifikoi të pandehurin vetëm me inicialet M.A., tha se Gjykata Themelore e dënoi atë me dënim unik prej 4 vjetësh e 11 muaj burgim efektiv dhe 20 mijë euro gjobë.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 30 korrik.
Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.
Ky është i akuzuari i dytë që dënohet me burgim për këtë rast në muajt e fundit, pasi në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 15 muaj burgim Nenad Orlloviqin për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan, ndërsa janë arrestuar dhjetëra të tjerë.
Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.
NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.



