Skip to content

Tiranë/Vodhi një automjet në mesnatë për shitje pjesësh këmbimi, arrestohet 38-vjeçari me precedent penal

Tiranë – Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet në bulevardin “Bajram Curri”, në orët e para të mëngjesit. Burime zyrtare bëjnë me dije se shtetasi Endrit Hamiti, banues në Tiranë dhe me precedent të mëparshëm penal për vepra të ngjashme, dyshohet se kishte për qëllim ta shiste mjetin për pjesë këmbimi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, menjëherë pas njoftimit se në bulevardin “Bajram Curri”, ishte vjedhur një automjet, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u identifikua dhe u ndalua autori i dyshuar, shtetasi Endrit Hamiti, 38 vjeç, banues në Tiranë.

Automjeti i vjedhur u gjet në afërsi të banesës së 38-vjeçarit, dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.