Rreth 4 ha pyll janë djegur brenda pak orëve në Gjinoqarë të Patosit. Sipas kryeplakut Nuri Gllava, masivi pyjor ka pesë dekada pa pastruar, ndaj është shumë e vështirë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse.
Nëse nuk do të ketë ndërhyrje përveç mjeteve rrethanore, situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe madje rrezikohen edhe zonat e banuara të fshatrave përreth.
Ndërkohë, 4 mjete zjarrfikëse, strukturat e bashkisë dhe banorët e zonës po luftojnë me flakët me mjete rrethanore, ndërkohë që era favorizon përhapjen e flakëve në disa drejtime, duke e bërë situatën edhe më kritike.
Përgjatë natës do të qëndrojnë në gatishmëri dy mjete zjarrfikëse, ndërsa pritet që gjatë ditës së nesërme të ketë dhe ndërhyrje nga ajri.
