Skip to content

Intervista/ Nga konfiskimi te dhunimi i lirisë si më 1945, avokati i njohur kundër Kodit të ri Penal: Pasojat mbi qytetarët! Kthim idesh dhe praktikash të viteve të diktaturës

NIKOLETA KOVAÇI/ “Një përshkrim qesharak i veprave penale”! Kështu e përkufizon draftin e Kodit të ri Penal që është propozuar, avokati dhe njohësi i mirë i fushës penale, Sokol Hazizaj.

Duke qenë i vëmendshëm në gjithçka u fol që në hedhjen për diskutim të draftit, Hazizaj duket se ka vërejtur jo pa vëmendje shmangien fillimisht të të gjithë atyre që duhej të flisnin që në krye të herës, teksa sipas tij, Kodi është thjesht i kopjuar dhe i përkthyer keq. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, avokati përjashton përfshirjen e Ministrisë së Drejtësisë në hartimin e atij drafti, pasi sipas tij, ky dikaster i ka të gjitha kapacitetet që të mundësonte një realizim të pranueshëm për të gjithë aktorët. Por në draftin që është propozuar përveç faktit që sipas avokatit të kthen në kohën e instalimit të diktaturës e në vijim, pra në `45-n, ai thotë se nuk është bërë asnjë studim i fushës së krimeve, duke pasur parasysh se janë disa akte që kanë dalë nga ‘moda’ dhe kanë hyrë krime të reja për të cilat duket se hartuesit nuk janë kujtuar. Po ashtu, në këtë draft, Hazizaj kritikon përdorimin e termit burg si konkluzion për vepra penale në kufijtë e qesharakes. Konkretisht, Sokol Hazizaj vëren se, “nëse një shtetas, për arsye nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato shëndetësore ose të nevojës ekstreme nuk mund të realizojë një parashikim të këtij Kodi, do të ndodhet përpara humbjes së lirisë, pra burgimit”.

Z. Hazizaj, prej ditësh po flitet për draftin e Kodit të ri Penal, një Kod, që kontestohet masivisht nga profesionistë të fushave të ndryshme, por rrallë janë parë të flasin ekspertë. Në këndvështrimin tuaj, çfarë përbën ky draftpropozim dhe a ishte i nevojshëm?

Jo vetëm, pra nuk kundërshtohet nga profesionistët, së fundmi edhe organizatat ndërkombëtare kanë shprehur qëndrimin e tyre të kujdesshëm në lidhje me këtë draft të Kodit Penal. Në kuptim të kohës kur u shfaq në arenën e diskutimit konstatoj se nuk është koha më e përshtatshme apo momenti më i mirë për t’iu dhënë qytetarëve një Kod të ri Penal, ndërsa në “hapësirë” konstatoj se sërish nuk është koha më e mirë t’u serviret qytetarëve kur haptazi vihet re një farë autoritarizmi i dhunshëm i shtetit ndaj atyre që kanë ngelur në këtë vend. Kriminalizimi i mëtejshëm i natyrës njerëzore nuk është gjë tjetër vetëm absolutizëm dhunues. Në vështrim populist, ose “perceptues qytetar”, konsiderimi i së drejtës penale si model të ligjit, ose teoria ligjore e sanksionit paraqitet mjaft bindëse. E drejta penale ka si karakteristikë qëllimin që t’i ndalojë njerëzit të kryejnë disa veprime. Metoda e ndalimit në këtë rast është një çmim që duhet paguar, një sanksion. E kundërta e parashikimit do të të kushtojë jetën, lirinë, pasurinë etj..

Por po ta shohësh me kujdes, në vështrim të një operatori me ligjet, pra kur kalojmë në shqyrtimin e disa ligjeve të llojeve të tjera, teoria e sanksionit paraqitet më pak bindëse. Le të marrim rregullat e së drejtës së detyrimeve. Ato ekzistojnë jo që të na ndalojnë të bëjmë disa gjëra, por më tepër që të na lejojnë të bëjmë disa gjëra në një mënyrë zyrtare. Nëse nuk i zbatojmë rregullat e të drejtës së detyrimeve, nga kjo nuk do të na vijë asnjë e keqe. Kjo do të thotë vetëm që nuk arritëm të bëjmë atë që nisëm të bënim, domethënë të hartonim një kontratë të vlefshme. Por e kundërta ndodh me parashikimet e draftit për të cilin po flasim, sipas të cilit nëse një shtetas për arsye nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato shëndetësore ose të nevojës ekstreme nuk mund të realizojë një parashikim të këtij kodi, do të ndodhet përpara humbjes së lirisë, pra burgimit. Në këtë kuptim haptazi duhet pranuar që ky draft ligjor e burgos lirinë, nuk e kufizon atë. Por, a duhet përmirësimi i ligjit penal. Duhet të jesh mediokër dhe më tepër të mos pranosh ndryshimet, përmirësimet dhe përafrimet ligjore me ato europiane e më tej, por jo t’i kopjosh ato në mënyrën ekstreme të tyre, pa bërë një analizë të qartë të krimeve të reja që vijnë për shkak të zhvillimit social, si dhe pa bërë një analizë statistikore të krimeve, të cilat nuk shfaqen më në ciklin jetësor në të cilin ndodhemi ne. Vendosja qartazi e një profili në kohën dhe hapësirën në të cilën jetojmë e bën ligjin të përvetësueshëm dhe natyral në kuptim të respektimit të tij.

Në ndryshimet që keni konstatuar, cilat nene mendoni që janë të duhurat dhe cilat jo?

Pyetja juaj është shumë korrekte dhe për t’u vlerësuar, sepse ndryshe nuk ka kuptim gjithë fjala ime. Duke ju përgjigjur interesit tuaj që presupuzon interesin e të gjithë publikut, po i jap edhe një përgjigje një funksionari të lartë të shtetit, i cili më tha se ky është një draft për diskutim dhe asgjë më tepër. Përpara se të kaloj në detaje, po ju them se fryma tejshkuese e draftit është tërësisht një konsideratë kriminale mbi një shoqëri që pretendon të mos ndalet drejt lirisë, drejt frymëmarrjes së një ekonomie tregu ku njerëzit janë të lirë të respektojnë kontratat civile midis njëri-tjetrit dhe midis tyre dhe shtetit. Penalizimi i procesit të falimentimit me nenin 687 të Kodit Penal, me mbi 320 fjalë në këtë dispozitë, kur ky është pjesë e së drejtës civile dhe ka një ligj të veçantë për këtë fenomen, e bën të pamundur jo vetëm veprimtarinë e subjekteve juridikë, të organeve publike, që kanë në fokus këtë proces, por njëkohësisht e bën të pamundur realizimin e këtij procesi nga kapacitetet tona intelektuale dhe institucionale të hetimit. Rrëshqitja që kanë bërë draftuesit duke shtuar numrin e veprave penale, të cilat janë marrëdhënie kontraktuale me karakter civil, duke vendosur për mbi 13 herë rrethana cilësuese ndryshe nga Kodi aktual, përbën sërish penalizim të shoqërisë në ekstremin e një dhune ndaj profesioneve dhe profesionistëve, e cila çon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mjerimin e shoqërisë nga kapacitetet intelektuale. Vendosja arbitrare e konfiskimit si dënim plotësues nuk bën asgjë tjetër vetëm kthim idesh dhe praktikash mjerane të viteve 1945 dhe më pas. Prevalimi i së drejtës penale që mbart shtrëngimin për të kryer një veprim mbi çdo të drejtë që mbart detyrime me pasojë mirëkuptimin social nuk është asgjë më tepër se diktatura.

Në propozimin e draftit, Ministria e Drejtësisë njoftoi se fillimisht do të kalojë në konsultim publik, sa i vërtetë do të jetë ky konsultim dhe a mendoni që edhe sikur të merren parasysh propozimet e publikut, hartuesit apo udhëzuesit do të rindërhyjnë në Kod?

Nga çfarë kam kuptuar, kjo nuk është nismë e Ministrisë së Drejtësisë, gjë e cila duhet të kishte ndodhur sa i përket përmirësimeve të Kodit Penal. Sepse Ministria e Drejtësisë i ka ose presupozohet se i ka të gjitha mundësitë ligjore dhe materiale, statistikore dhe institucionale për të krijuar një grup të përbashkët multifunksional për të formatuar një ligj të plotë, ku të përthithen shumë dimensione nga ato sociale duke përfunduar tek ato juridike. Gjë e cila nuk ka ndodhur. Ndaj me shumë xhentilesë ministri si person politik e thjeshtoi atë në identifikimin e një drafti, por që as draft nuk është. Është thjesht një përzierje ose më bukur, një amalgamë kopjimesh apo fjalëkryqesh të perifrazuara dhe përkthyer keq, ngarkuar me fjalë pa fund. Për kuriozitet mund t’ju them se ka dhe dispozita me mbi 1500 fjalë, të cilat fillojnë dhe mbarojnë saktësisht me kohë burgimi. Është një kod, nëse do ta quanim të tillë, një përshkrim qesharak i veprave penale. Ndaj qartazi u ndanë në mënyrë të prerë të gjitha institucionet dhe organet ligjzbatuese nga njohja e draftit.

Në draftin e Kodit të ri dënimi me burg duket si “pa doganë”, madje për veprime që duken paradoksale, si psh., neni 236, apo edhe dalja në rrugë me mjet të pakoaliduar etj.?

Jo vetëm kjo, ndonëse ka renë në sy për shkak të një leximi të thjeshtë dhe sporadik. Në këtë draft janë ndërfutur shumë nocione dhe koncepte, që e bëjnë të pamundur edhe funksionimin e organeve të tjera. Në konceptin tim duket qartë se ky draft është thjesht një pasqyrë e asaj çfarë po ndodh tani. Mjafton të shohësh pak mbi ‘vetullat’ dhe konstaton se jeta sot ka vetëm një dimension, atë të shkatërrimit. Mungesë projektesh ose nga njëra anë kufizim të lirisë së përfituar të shtresave në nevojë dhe zgjerim i hapësirave brutale të të ashtuquajturve investitorë strategjik. Nga njëra anë konstatohet rritje e varfërisë, nga ana tjetër ndërtime të cilat kam frikë se shumë shpejt do të jenë si produktet e Gomorrës napolitana që nuk banon njeri dhe janë kthyer në vende jashtëqitjesh. Në këtë kuptim, në draft konstatohet shtrëngim në tejkalim të deformimit të veprimtarive ligjore të institucioneve të ndryshme. Mjafton t’ju them se që prej vitit 1995 kur është formatuar Kodi Penal kanë qenë 335 dispozita, të cilat pas 30 vjetësh për shkaqe të ndryshimeve dhe përafrimeve me vendime të gjykatave kanë shkuar në rreth 600 nene. Sot çuditërisht kemi një draft me 925 dispozita, të cilat kanë rritur në kuptimin sasior jo vetëm marzhet e dënimit, por edhe numrin e sjelljeve sociale si të dëmshme. Këtë vetëm disa frymorë me tipare cinike dhe aspak sociale mund ta mbarështojnë.

Referuar nënteksteve të nenit të mësipërm, janë edhe disa nene të tjera që rregullojnë me kërcënim me burg lirinë e shprehjes, si nxjerrja e “sekretit hetimor” nga gazetarët. Në optikën tuaj, cili është sekreti hetimor që kërcënon me burg një gazetar?

Ju e keni parë filmin “Eduart duargërshëri”, luajtur nga aktori Johnny Depp, ku Eduardi jeton i ngujuar në një kështjellë sepse duart e tij janë tepër të rrezikshme për t’u përdorur normalisht. Më pas dhe pse u orientua për të bërë një të mirë sociale, e vetmja gjë që bënte ishte qethja e njerëzve. Ashtu është edhe ky draft i përpunuar me kujdes për të qethur të mirën sociale që ka ardhur për shkak të ndryshimeve të madha të viteve ‘90, të cilat janë shtypi dhe avokatia. Neni 515 është fiks neni i Eduardit të bërë nga njerëz josocialë.

Si jurist dhe mbrojtës ligjor i qytetarëve që akuzohen apo edhe kryejnë vepra penale, çfarë u sugjeroni që të kenë kujdes në nenet që kërcënojnë me burg edhe për parkim dysh…?

Po të gjitha nenet, burg parashikojnë në mënyrë absolute. Unë mendoj se ky draft nuk do të jetojë gjatë, ose shpresojë. Sepse e vërteta nuk qëndron te çfarë parashikon ai, por tek ajo se çfarë po ndodh realisht. Për faktin se nuk ka ardhur si risi normale, si nuk do të ketë pasojë normale. Por, nga ana tjetër duke qenë se pak kohë janë sjellë dhe na kanë trajtuar si njerëz normal, ngelet të përsëris Simone de Beauvoir kur citonte: “Unë nuk kam liri në qoftë se më fusin në burg, por nuk kam qenë i kufizuar kur nuk më kanë penguar të fus në burg të afërmin tim”. Sot po ndodh, ndaj kujdes!

/Gazeta Panorama 

“”