
Pasditen e kësaj të enjteje në Prishtinë do të mbahet një tubim i organizuar nga Veteranët e Luftës së UÇK-së, në shenjë kundërshtimi ndaj mbajtjes në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta do të nisë në orën 17:00 dhe do të jetë paqësore, tha në një konferencë për mediat Hysni Gucati, drejtues i kësaj organizate, ndërsa shtoi se organizimi i sotëm është një thirrje për drejtësi dhe respekt ndaj kontributit të luftëtarëve për lirinë e Kosovës.
Në tubim do të mbajnë fjalime një sërë figurash të UÇK-së, fëmijë dëshmorësh si dhe pritet të mbërrije kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Organizatorët thanë për mediat e Kosovës se një ftesë kanë patur edhe për Kryeministrin Edi Rama, i cili nuk mund të marrë pjesë për shkak të axhendës.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte.
Gjykimi i tyre ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vetëm një ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës vendosën të zgjasin edhe një herë masën e paraburgimit ndaj tyre.



