Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme ullishtet dhe sipërfaqet me shkurre të thata në fshatin Sejmenas, njësi administrative Fier-Shegan, në Bashkinë Lushnje.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ndërhynë tre mjete zjarrfikëse të Lushnjes, dhjetëra efektivë policie, si dhe banorët e zonës, të cilët u angazhuan për më shumë se dy orë për të vënë flakët nën kontroll dhe për të mbrojtur banesat që ndodheshin pranë zonës së djegur.

Aktualisht, situata paraqitet plotësisht e kontrolluar, ndërkohë që vatrat po monitorohen nga afër për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të flakëve.

Paralelisht, grupi hetimor i Policisë së Shtetit, së bashku me specialistët zjarrfikës dhe policinë shkencore, po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Dyshimet paraprake flasin për një shkëndijë elektrike në rrjetin shpërndarës të fshatit, e cila mund të ketë shkaktuar përhapjen e flakëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në rast të çdo rreziku zjarri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re