Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, ka folur për ndërhyrjet urbanistike të kohëve të fundit, duke theksuar se shumica prej tyre janë “çmontuese” dhe jo aq të mëdha sa mund të duken.
Ai e cilësoi këtë proces si fazën e parë të një “Rilindjeje 2.0”, me synimin për të krijuar hapësira komunitare më cilësore. Rama gjithashtu deklaroi se qytetarët do të kenë jo vetëm detyrime, por edhe të drejta në kuadër të këtij transformimi, ndërsa theksoi rëndësinë e drejtësisë së re, larg ndikimeve politike të së kaluarës.
“Pjesa dërrmuese e këtyre ndërhyrje janë të çmontuese. Nuk janë aq shumë sa ç’duket. Do të ecim me shpejtësi dhe kjo nuk është gjë të tjetër vetëm se faza e parë e një rilindje të re, Rilindjes 2.0. Për të krijuar hapësira komunitare cilësore. Do u japim disa detyrime për punët për të cilat do të kenë edhe disa të drejta. Si cilat do të kenë edhe disa të drejta. Siç funksionon edhe në çdo vend tjetër. Fatmirësisht ne sot kemi drejtësi dhe nuk është më ajo drejtësia e mëparshme ku e udhëhiqte drejtuesi i partisë. Kur ka fakte dhe prova secili duhet që të ballafaqohet me drejtësinë”, tha kryeministri Rama.
