Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot në një konferencë për shtyp me mediat e huaja se plani për të marrë kontrollin mbi qytetin e Gazës është mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës.
“Përkundër pretendimeve të rreme, kjo është rruga më e mirë dhe më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës. Do të sigurojmë që civilët të largohen në mënyrë të sigurt nga zonat e luftimeve drejt zonave të mbrojtura, ku do të kenë ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor. Ne nuk duam ta pushtojmë Gazën, por ta çlirojmë atë nga Hamasi,” tha Netanyahu.
Ai theksoi se Izraeli aktualisht kontrollon rreth 70–75% të territorit të Gazës, ndërsa dy “bastione” të Hamasit mbeten ende aktive – njëri prej tyre në qytetin e Gazës. Netanyahu tha se nuk do të flasë për afate konkrete, por “lufta do të përfundojë shpejt, sepse ky është qëllimi”.
5 kushtet e Izraelit për përfundimin e luftës në Gaza:
Asgjësimi i Hamasit
Lirimi i të gjithë pengjeve
Çmilitarizimi i Gazës
Kontrolli i sigurisë nga Izraeli
Krijimi i një administrate politike që përfaqëson Gazën dhe bashkëpunon për paqe
Netanyahu theksoi:
“Lufta mund të përfundojë nëse Hamasi dorëzon armët dhe liron të gjithë pengjet. Ne duam t’i nxjerrim të 20 pengjet e mbetura gjallë nga Gaza. Nëse nuk veprojmë, ata nuk do të kthehen kurrë.”
Ai shtoi gjithashtu se pas përfundimit të Hamasit, Gaza do të çmilitarizohet, Izraeli do të jetë përgjegjës për sigurinë dhe do të krijohet një zonë sigurie përgjatë kufirit, për të parandaluar sulmet terroriste të së ardhmes.
“Askush nuk do të hyjë në Gaza, për sa kohë Hamasi nuk është eliminuar,” tha ai prerë.
Netanyahu: “Hamasi po krijon krizën humanitare, jo Izraeli”
I pyetur për krizën humanitare në Gaza dhe imazhet tronditëse të urisë, Netanyahu akuzoi Hamasin se po e përdor popullsinë si mjet lufte.
“Që në fillim të luftës, Izraeli ka lejuar hyrjen e gati 2 milionë ton ndihma. Nuk besoj se ndonjë ushtri tjetër në botë ka lejuar kaq shumë ndihmë në territor armik. Nëse ne do të kishim politikë urie, asnjë në Gaza nuk do të kishte mbijetuar pas dy vitesh lufte,” tha ai.
Netanyahu prezantoi edhe një plan me tre pika për ndihmën humanitare, që përfshin:
Krijimin e korridoreve të sigurta për ndihmat
Rritjen e pikave të shpërndarjes së ndihmave humanitare
Hedhjen nga ajri të ushqimeve dhe materialeve bazë
Ai konfirmoi se është në bisedime me SHBA-në për masa shtesë për të rritur furnizimin me ndihma në Gaza. Netanyahu gjithashtu akuzoi disa media ndërkombëtare se po “manipulojnë të vërtetën” për urinë në Gaza dhe nuk përjashtoi ndjekje ligjore ndaj tyre, duke përmendur se shpesh raportimet janë të ndikuara nga antisemitizmi.
