Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “zjarrvënia duhet të barazohet me vrasjen në Kodin Penal”.

Rama ndau në rrjetet sociale pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të evidentuar sot nga dronët e Forcës Ajrore.

“Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”, u shpreh Rama.

Kryeministri siguroi se Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët.

“Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal”, shtoi Rama.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 14 vijojnë të jenë aktive dhe po ndiqen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re