Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj një punonjësi policie dhe një shtetasi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

AMP ka ekzekutuar masat ndaj inspektor E. P., me detyrë trupë shërbimi, oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë dhe shtetasit E. D., banues në Tiranë.

Në vijimësi të hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit “Last rent”, ka dyshime se punonjësi i policisë në bashkëpunim me shtetasin e sipërpërmendur, kanë tentuar të fshehin prova materiale lidhur me ndalimin më datë 5 korrik 2025 të punonjësit të policisë E. P., (vëllai i punonjësit E. P.) i dyshuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

AMP shprehet se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re