Skip to content

Fertilizimi in vitro falas, Koçiu: Vijnë në jetë dy foshnje tek “Koço Gliozheni”


Sistemi shëndetësor publik ofron tashmë shërbimin e fertilizimit in vitro (FIV) falas për çiftet që përballen me infertilitetin, përmes Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot rastin e suksesit me lindjen e dy foshnjave të tjera përmes procedurës in vitro.

“Dy gëzime të reja nga materniteti “Koço Gliozheni”. Dua dhe Mertoni erdhën në jetë falë programit kombëtar për trajtimin e infertilitetit, përmes procedurës in vitro që tashmë ofrohet në sistemin publik dhe po kthen në realitet ëndrrat e shumë familjeve. Urime prindërve dhe stafit mjekësor për këto mrekulli”, u shpreh Koçiu.

Për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni ka ardhur në jetë në 17 dhjetor 2024, fëmija i parë me teknikën e riprodhimit të asistuar.

Paketa e fertilitetit synon të mbështesë çiftet e reja përmes shërbimit falas të Fertilizimit in Vitro (FIVET). Me buxhetin e këtij viti, rreth 150 çifte të reja po mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje.