Skip to content

(EMRAT) Berat, Krujë, Memaliaj, Fier, Lushnjë, Durrës – Arrestohen 8 persona për zjarrvënie, një tjetër nën hetim

img 5651 1010x570 1

Ndërsa Shqipëria vijon të përballet me flakët nga veriu në jug, Policia e Shtetit ka ndërmarrë aksione të njëpasnjëshme për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e dyshuar të zjarrvënieve të qëllimshme.

Gjatë orëve të fundit, janë arrestuar 8 persona në qytete të ndryshme të vendit dhe është proceduar penalisht një tjetër. Shkaktarët e dyshuar akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme, shpesh për motive personale apo nga pakujdesia, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore.

Berat

Në lagjen “Uznovë” është dokumentuar një rast zjarrvënieje nga kamerat e sigurisë, ku një person dyshohet se ka hedhur një cigare në një zonë me ullinj, duke shkaktuar zjarr me përmasa të mëdha. Zjarri rrezikoi disa banesa dhe dogji një sipërfaqe toke. Një tjetër vatër aktive është regjistruar në fshatin Osmëzezë, ku janë djegur pemë frutore dhe tokë bujqësore.

Krujë

Në fshatin Barkanesh, u arrestua Endri Doku, 19 vjeç, i cili dyshohet se i vuri zjarr ullishtes së fqinjëve pas një konflikti për motive pronësie. Ai ndodhej në masë arresti shtëpie për kultivim të bimëve narkotike në momentin e zjarrvënies.

Memaliaj

Policia arrestoi Bashkim Lika, 62 vjeç, pasi në zonën e pyllëzuar pranë fshatit Koshtan, dyshohet se ka ndezur zjarr. Si pasojë, u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme pyjore, 400 pemë frutore dhe 3 banesa të pabanuara.

Fier

Në vendin e quajtur “Mezarak”, përgjatë luginës së Vjosës, u arrestua Shezai Banaj, 61 vjeç. Ai dyshohet se ndezi zjarr që dogji 300 pemë ulliri dhe bimësi të ndryshme në një zonë të parkut kombëtar.

Lushnjë

Në fshatin Dushk, u ndalua Arjan Kaja, 58 vjeç, i cili ndezi zjarr në tokën e tij. Flakët dolën jashtë kontrollit dhe dogjën një sipërfaqe të konsiderueshme. Sipas policisë, ai gjithashtu ka penguar ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Durrës

Një grua po hetohet në gjendje të lirë pasi ndezi zjarr në oborrin e banesës për të djegur mbeturina. Flakët u përhapën dhe dogjën një sipërfaqe toke dhe një kasolle.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të shmangin veprimet q rrezikojnë përhapjen e zjarreve dhe të denoncojnë çdo rast të zjarrvënies së qëllimshme. Shkaktarët do të përballen me masa të rënda ligjore për dëmtimin e pronës, mjedisit dhe rrezikimin e jetës së qytetarëve.