Policia e Shtetit ka intensifikuar veprimet për parandalimin dhe ndëshkimin e zjarrvënieve në të gjithë territorin e vendit, përgjatë muajve të verës. Sipas të dhënave zyrtare, nga muaji qershor deri më 14 gusht, strukturat e Policisë kanë identifikuar 137 autorë zjarrvëniesh, nga të cilët: 46 janë arrestuar, 91 janë proceduar penalisht.
Forcat Kombëtare të Sigurisë, njësitë e posaçme “Shqiponja”, patrullat e përgjithshme dhe forcat operacionale, nën drejtimin e qarqeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijojnë të jenë aktive në terren, duke mbështetur Emergjencat Civile dhe forcat zjarrfikëse në evakuimin e banorëve dhe shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, strukturat operacionale të Policisë po përdorin dronë për të kontrolluar dhe monitoruar zonat me rrezik zjarri, me qëllim identifikimin në kohë reale të autorëve të zjarrvënieve, të cilët shpesh rrezikojnë jo vetëm pronën private, pyjet dhe kullotat, por edhe jetën e banorëve dhe forcave të ndërhyrjes. Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët që të mos shkaktojnë zjarre. Blegtorët dhe fermerët janë përgjegjës për tokat dhe kullotat që kanë në pronësi apo në përdorim.
Policia e Shtetit ka bërë thirrje të fortë për qytetarët, që të mos ndezin zjarr për djegien e mbetjeve bujqësore apo për pastrimin e tokave, pa njoftuar dhe marrë masa paraprake me institucionet përgjegjëse.
Autoritetet rikujtojnë se shkaktimi i zjarrit, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore.
