Skip to content

Ekonomia rritet në gjashtëmujorin e parë, nxitje nga konsumi, turizmi dhe kredia

Në gjysmën e parë të vitit 2025, ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje të qëndrueshme, e mbështetur kryesisht nga sektori i turizmit, investimet private dhe zgjerimi i konsumit familjar. Banka e Shqipërisë vlerëson se ky 6-mujor është vijim të tendencave pozitive të vitit të kaluar, ku rritja ekonomike ka vijuar me ritme të ngjashme. Sipas drejtorit të Politikës Monetare, pranë BSH-së, Erald Themeli, rritja ekonomike në tremujorin e parë ishte 3,4%, dhe të dhënat e deritanishme për tremujorin e dytë tregojnë për një ritëm të ngjashëm.

Rritja është ndikuar pozitivisht nga eksporti i shërbimeve, si dhe nga një rritje e ndjeshme e eksportit të mallrave, e cila është veçanërisht e dallueshme për këtë periudhë. Një nga faktorët që ka kontribuar dukshëm në këtë ecuri ekonomike është shtimi i ndjeshëm i kredisë në të gjithë sektorët.

Si bizneset, për investime apo kapital qarkullues, ashtu edhe familjet, për konsum apo blerje banesash, kanë përfituar nga një ofertë e bollshme kredie nga bankat. Kjo ka mbështetur aktivitetin ekonomik në mënyrë të dukshme dhe ka ndikuar pozitivisht në rritjen e kërkesës së brendshme.

“Aktiviteti ekonomik është mbështetur edhe nga një kredi e bollshme në të gjithë sektorët e saj, qoftë për bizneset për investime ose kapital qarkullues, qoftë edhe për familjet për konsum të përgjithshëm dhe për blerje banese”, u shpreh Themeli, në një intervistë për mediet. Pavarësisht rreziqeve që vijnë nga ambienti i jashtëm, siç janë paqëndrueshmëria e tregjeve ndërkombëtare apo ndikimet gjeopolitike, Banka e Shqipërisë vlerëson se perspektiva për zhvillimet ekonomike në vend mbetet pozitive.

Parashikimi është që rritja ekonomike do të vijojë në intervalin 3,5-4% dhe se inflacioni, i cili aktualisht është mesatarisht në nivelin 2,3%, do të kthehet në objektivin prej 3% brenda gjysmës së parë të vitit 2026.

“Perspektiva e zhvillimeve ekonomike në vend është pozitive, do të vijojë rritjen me 3,5-4%, dhe inflacioni brenda gjysmës së parë të 2026-s do të kthehet në objektiv prej 3%. Rreziqet kryesisht nga ambienti i jashtëm mbeten të mëdha”, pohon Themeli. Në lidhje me politikën monetare, Erald Themeli ka sqaruar edhe vendimin e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 6 gusht, për të mos ndryshuar normën bazë të interesit.

Ky vendim pason një reduktim të normës bazë që ndodhi në fillim të korrikut dhe, sipas tij, koha e shkurtër që ka kaluar nga ky ndryshim nuk lejon ende të shihet plotësisht ndikimi i tij në tregjet financiare dhe në aktivitetin ekonomik. Për këtë arsye, u vlerësua e nevojshme që t’i jepet më shumë kohë transmetimit të plotë të efektit të kësaj mase. Aktualisht, norma bazë e interesit mbetet në nivelin 2,5%, në fuqi që prej korrikut 2025.