FAJI I TIK TOKUT APO I PRINDIT DHE SHOQËRISE KU JETOJMË!

Më 18 gusht të këtij viti, do të mbushen nëntë muaj që kur Martin Cani, një adoleshent 14-vjeçar, humbi tragjikisht jetën në duar të një bashkëmoshatari të tij, i cili e goditi me thikë. Pas këtij akti të dhunshëm, Martin humbi jetën në spital, ndërsa shoku i tij, Luis Meçja, u plagos rendë. Ndërkohë, autori i këtij krimi, një tjetër 14-vjeçar u arrestua në lidhje me ngjarjen.

Gazetari Marsel Vocaj thote se vrasja e Martin Canit, nuk ishte ngjarja e vetme e dhunshme që ndodhi në këtë periudhë kohore. Pak më vonë, një tjetër tragjedi ndodhi, ku një tjetër 14-vjeçar, Erald Xhejo, u vra në një lokal në fshatin Pirg. Kjo tragjedi thelloi akoma më shumë nje plagë të hapur, edhe pse janë arrestuar tetë persona, vrasja ishte një akt që lidhej me një grindje të thjeshtë mes të rinjve për motive banale si “pse më shikon” dhe “pse më shan”.
Në këtë rast, si autorët, ashtu edhe disa të tjerë që përfshiheshin në ngjarje, janë arrestuar, përfshirë babanë dhe xhaxhain e autorit, të cilët akuzohen për fshehjen e provave dhe pengimin e hetimeve. Autori i vrasjes, gjithashtu, është akuzuar për vrasje me dashje dhe drejtim të automjetit në mënyrë të paligjshme. Te dyja ngjarjet nxoren në pah ndikimin e rrjeteve sociale, ku autorët, përfshirë të miturët, shpesh shfaqen në mënyrë provokuese me armë zjarri , thika, shkopa bejzbolli dhe mesazhe të dhunshme. Këto shpërthime të dhunës kanë krijuar një debat të gjerë, duke u fokusuar në ndikimin që rrjetet sociale, si TikTok, kanë ndikim ne rritjen e sjelljeve agresive.

Si pasojë e këtyre ngjarjeve, qeveria vendosi të mbyllë TikTok për një periudhë kohore, me shpresën për të frenuar dhunën dhe incidentet e tjera të ngjashme. Megjithatë, pas disa muajsh, TikTok u rihap, dhe fenomeni i dhunës mes të rinjve nuk ndaloi as kur ishte mbyllur, duke nxjerrë në pah se problemi nuk ishte te rrjetet sociale, por tek edukimi dhe influencat që ata marrin nga mjedisi i tyre.

Përballë këtyre tragjedive, një pyetje e madhe që lind është: Cila është përgjegjësia e prindërve, mësuesve dhe institucioneve të tjera për rritjen e fëmijëve dhe adoleshentëve të sotëm? A duhet të mbyllen rrjete te tjera sociale si Instagram, Facebook, X (Twitter), apo është koha që shoqëria të fokusohet në edukimin e brezave të rinj për vlerat e jetesës, respektin dhe të drejtat e individëve? Për më tepër, a është sistemi arsimor në Shqipëri mjaftueshëm i fortë për të përballuar sfidat që vijnë nga këto fenomene?

Edukimi, si një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e shoqërisë, ka nevojë për një reformë të thellë dhe një angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha institucionet. Mësuesit, prindërit dhe shoqëria duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të parandaluar që brezat e rinj të rriten nën ndikimin e dhunës, drogës, krimit dhe ndjenjave të urrejtjes që shpesh ndodhin për shkak të ngacmimeve të thjeshta apo banaliteteve.
Pavarësisht idesë për të mbyllur platformat sociale me idenë për te frenuar incidentet , sfida qëndron tek edukimi dhe ndërgjegjësimi që duhet t’u jepet fëmijëve që të rriten me vlera pozitive dhe të kenë një perceptim të

shëndetshëm për marrëdhëniet sociale dhe të drejtat e individëve.
Kështu, është e rëndësishme që jo vetëm qeveria dhe autoritetet, por edhe shoqëria, të mbajnë përgjegjësinë për edukimin e një brezi të ri që, në vend që të shohë dhunë dhe konflikt, të shohë mundësi bashkëpunimi dhe respekti.