Skip to content

Mbushen malet e Spanjes me serra kanabisi. Çmontohet grupi shqiptar, 4 te arrestur


Autoritetet spanjolle kanë goditur një organizatë kriminale të përbërë nga shtetas shqiptarë, e cila kishte mbushur zonat malore të Teruelit me sera të mëdha marihuane. Në një operacion të koduar “Përroi i Bufit”, Guardia Civil përdori dronë për të zbuluar plantacionet e fshehura në terrenin e vështirë dhe të thepisur.
Në total u identifikuan nëntë sera të improvizuara, të shpërndara në mes të maleve në komunën e Arcos de las Salinas. Brenda tyre policia gjeti rreth 7,700 bimë marihuane, të kultivuara me një teknologji të sofistikuar ujitjeje dhe me kushte të përshtatura për rritjen e shpejtë të lëndës narkotike.
Operacioni çoi në arrestimin e katër shqiptarëve, të cilët u kapën në flagrancë teksa kujdeseshin për bimët. Pamjet e shpërndara nga policia spanjolle tregojnë momentet kur agjentët, të armatosur dhe të shoqëruar nga qentë antidrogë, neutralizojnë personat, u vendosin prangat dhe sekuestruan materialet e kultivimit.
Sipas autoriteteve, lënda narkotike ishte e destinuar për tregun spanjoll dhe atë europian, duke gjeneruar fitime të mëdha për grupin kriminal. Gjykata e Shkallës së Parë dhe Hetimit Numër Tre në Teruel urdhëroi paraburgimin e katër të dyshuarve, të cilët akuzohen për: kultivim të paligjshëm të marihuanës, prodhim dhe trafikim droge, si dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Megjithëse emrat e të arrestuarve nuk janë bërë publikë, hetuesit besojnë se grupi kishte lidhje me një rrjet më të gjerë ndërkombëtar, i cili merrej me kultivimin dhe shpërndarjen e drogës në Evropë.
Rasti i Teruelit nuk është i izoluar. Mediat spanjolle prej vitesh raportojnë për përfshirjen e grupeve shqiptare në kultivimin masiv të kanabisit në Spanjë, duke shfrytëzuar zonat e thella malore, të vështira për t’u arritur dhe për t’u monitoruar nga policia. Guardia Civil theksoi se do të vijojë operacionet për të çmontuar plotësisht këtë fenomen kriminal.