Aksion anti-kanabis ne Shkoder, droni zbulon tre plantacione me mbi 7600 bime kanabisi


Një tjetër operacion i madh kundër kultivimit të kanabisit është finalizuar nga Policia e Shkodrës, e cila gjatë kontrolleve të gjera në disa zona malore të qarkut ka zbuluar dhe shkatërruar mbi 7600 bimë dhe fidanë narkotikë. Në fshatin Rogam, në njësinë administrative Kastrat, policia kapi në flagrancë dy persona që kishin ngritur disa parcela me kanabis pranë banesave të tyre. Ata janë:
Angjelin Ripaj
Kujtim Ripaj
Të dy të afërm me njëri-tjetrin, ata kishin kultivuar 7 parcela, ku u gjetën 1299 bimë dhe rreth 1000 fidanë kanabisi. Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, ndërsa gjatë kontrollit, pranë shtëpisë së njërit prej tyre, policia konstatoi edhe një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Por hetimet nuk ndalen këtu. Përveç arrestimeve, autoritetet referuan materialet në Prokurori edhe për tre kryetarë fshatrash, të cilët dyshohen për “Shpërdorim detyre”, pasi kanë lejuar dhe nuk kanë raportuar kultivimet në zonat që administrojnë. Të proceduarit janë kryetarët e fshatrave Vilz, Ura e Shtrenjtë dhe Domen.
Operacioni i koduar “Koordinata” përfshiu disa njësi administrative të qarkut Shkodër, ku u zbuluan plantacione të mëdha kanabisi:
Kelmend (Malësi e Madhe): 1726 bimë dhe 1000 fidanë të dyshuar narkotikë.
Rogam (Kastrat): 1299 bimë dhe 1000 fidanë, me dy persona të arrestuar.
Gur i Zi & Postribë: 2713 bimë të kultivuara në parcela të ndryshme.
Shllak (Vau i Dejës): 2592 bimë të tjera të asgjësuara nga policia.
Në total, shifrat e përgjithshme të operacionit flasin për më shumë se 7600 bimë narkotike dhe fidanë të shkatërruar, duke goditur një nga rrjetet më të mëdha të kultivimit të kanabisit në këtë qark për këtë sezon.
Policia e Shkodrës njofton se kontrollet do të vazhdojnë në të gjitha zonat problematike, me synimin për të parandaluar dhe goditur në rrënjë kultivimin e kanabisit. Burime policore bëjnë me dije se po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa priten procedime të tjera për zyrtarë lokalë që kanë mbyllur sytë përballë kultivimeve të paligjshme.