Media prestigjioze britanike The Telegraph ka raportuar për klanin shqiptar Çelaj–Çopja, një nga organizatat më të fuqishme kriminale në Europë, i cili u godit nga SPAK në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Ky grup kishte arritur të ndikonte drejtpërdrejt çmimin e kokainës në kontinent, duke kontrolluar trafikun nga Amerika Latine drejt porteve të Bashkimit Europian dhe duke pastruar fitimet kolosale përmes një rrjeti të gjerë pronash, resortesh dhe biznesesh luksoze.
Organizata drejtohej nga Franc Çopja, 33 vjeç, i njohur si “truri logjistik” i operacioneve, dhe Ervis Çela, 41 vjeç, i cili merrej me financat dhe pastrimin e parave. Dy bosët kishin grumbulluar aq shumë fitime nga trafiku i drogës, sa në bisedat e tyre diskutonin nëse do të ishte më e sigurt t’i fshihnin milionat nën rrënjët e ullinjve apo t’i kthenin në shufra ari. Në mars të vitit 2021, hetuesit arritën të depërtonin në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, duke zbuluar komunikimet e tyre të fshehta dhe planet për të transportuar dhjetëra tonë kokainë nga Paraguaji drejt porteve të Hamburgut dhe Antwerpit.
Vetëm më 12 shkurt 2021, autoritetet sekuestruan 16.4 tonë kokainë të pastër, me vlerë tregu mbi 3 miliardë paund, duke shënuar konfiskimin më të madh të kokainës në historinë e Europës. Në vitin 2020 një tjetër ngarkesë prej 1.3 miliardë paund kaloi pa u zbuluar në portin e Antwerpit. Për transferimin e fitimeve, grupi përdorte një sistem të sofistikuar me korrierë dhe rrjete “hawala”, të cilat mundësonin qarkullimin e qindra milionë eurove në cash drejt Shqipërisë dhe më gjerë.
Në qershor dhe gusht 2021, Ervis Çela u arrestua në një operacion të befasishëm në Shqipëri, bashkë me vëllezërit e tij dhe disa bashkëpunëtorë. Çela kishte qenë 11 vjet në arrati, pasi ishte dënuar në Itali për vrasjen e Petrit Keçit në vitin 2008, një rival që kishte tentuar të hynte në rrjetin e tyre të prostitucionit. Ai ishte dënuar me 30 vjet burg, por u lirua në vitin 2014 pas apelimit, gjë që i dha mundësinë të zhdukej nga radarët e drejtësisë dhe të vazhdonte aktivitetin kriminal. Tashmë ai duhet të vuajë një dënim prej 21 vitesh për vrasje, rrëmbim, posedim municionesh dhe pengim të drejtësisë, përveç akuzave të reja për trafikun e drogës.
Nga ana tjetër, Franc Çopja u arrestua në Belgjikë në dhjetor 2023 dhe u ekstradua nga Dubai, ku jetonte në një vilë luksoze. Ai po gjykohet për vrasje, ndërsa në dosjet e hetimit përshkruhet si njeriu përgjegjës për sigurimin e transportit të kokainës nëpër portet e Europës veriore. Sipas prokurorëve Altin Dumani dhe Vladimir Mara, kjo organizatë kriminale konsiderohet një nga më të fuqishmet në tregtinë ndërkombëtare të kokainës, me kapacitetin për të menaxhuar sasi të mëdha droge dhe për të diktuar çmimet në tregjet europiane.
Një pjesë e kokainës së trafikuar besohet se përfundonte në Mbretërinë e Bashkuar, ku, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit, bandat shqiptare kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut fitimprurës. Një kilogram kokainë në Britani shitet deri në 40 mijë paund, dyfish i çmimit në Europë.
Nga sekuestrimet më të bujshme të realizuara nga SPAK spikat resorti “Ajman Park” në Shijak, një kompleks luksoz 27 kilometra nga Tirana, i cili ofronte vila me stil greko-romak, kuzhinë të shtrenjtë dhe shërbim sigurie 24 orë. Ky sekuestrim përbën një ndërhyrje të rrallë të autoriteteve shqiptare, që zakonisht nuk hetojnë origjinën e kapitaleve të mëdha të përfshira në turizëm dhe ndërtim.
Rënia e klanit Çelaj–Çopja, e shoqëruar me arrestime, sekuestrime dhe dosje voluminoze hetimore, shënon një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar shqiptar në Europë, duke treguar se edhe kartelët më të fuqishëm nuk janë të paprekshëm.
