Skip to content

Lufta në Ukrainë: Presim përparim në garancitë e sigurisë, thotë Ministri i Jashtëm

sybiha

“Pozicionet themelore të palës ukrainase mbeten të pandryshuara”, tha Andriy Sibikha në lidhje me lëshimet e mundshme territoriale.

Kievi pret hapa të rëndësishëm drejt paqes nga takimi midis Presidentit Volodymyr Zelensky dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Uashington, duke u përqendruar në çështjen e garancive të sigurisë dhe diskutimin e një takimi të mundshëm trepalësh me Presidentin rus Vladimir Putin.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibikha, duke folur në një panel mbi punën e qeverisë në Ukrainë, theksoi se pritjet nga takimi në Shtëpinë e Bardhë janë të larta. “Nëse flasim për pritjet nga ky takim, ato kanë të bëjnë me përparim të mëtejshëm, një kuptim më të qartë të parametrave të garancive të ardhshme të sigurisë – diçka jashtëzakonisht e rëndësishme. Është gjithashtu një hap drejt një takimi trepalësh Zelensky-Putin-Trump, me pjesëmarrjen e mundshme të udhëheqësve të tjerë të aleatëve tanë. Sigurisht, ka edhe çështje të axhendës dhe kalendarit”, tha ai.

Sibikha e përshkroi situatën aktuale si “vendimtare”, pasi, siç vuri në dukje ai, mobilizimi maksimal i përpjekjeve diplomatike mund të sjellë një paqe të drejtë më afër.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me “vijat e kuqe” të Ukrainës për çështjen territoriale, në sfondin e deklaratave të fundit të Trump se Ukraina nuk ka gjasa ta rimarrë Krimenë, ministri i jashtëm ukrainas ishte kategorik: “Pozicionet themelore të palës ukrainase mbeten të pandryshuara. Presidenti i Ukrainës shkoi në Uashington, si gjithmonë, me një qëndrim të fortë, të koordinuar me të gjithë aleatët: Krimea është Ukrainë. Ekziston një Kushtetutë e Ukrainës, e cila përcakton të gjitha përgjigjet për këtë pyetje.”

Sibikha shtoi se një tjetër parim i panegociueshëm për Kievin është mospranimi i çdo kufizimi në aftësitë e ushtrisë ukrainase dhe mbrojtjes së vendit.

Përshtati në Shqip S