
Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), D. Sh., është kthyer pranë familjes pas një dite në të cilën u raportua i zhdukur.
Familjarët denoncuan humbjen e kontakteve me të ditën e djeshme, ndërsa mesazhi i fundit që ai kishte dërguar – “Po më arrestojnë” – ngriti dyshime dhe shqetësime serioze mbi fatin e tij. Pas kthimit, Shima tha se kishte qenë në jug të vendit, pasi kishte pasur një konflikt me të dashurën e tij. Megjithatë, ai nuk dha sqarime lidhur me mesazhin alarmues që dërgoi para se të fshihej.
Kujtojmë se më herët, Shima është thirrur nga SPAK për t’u pyetur në lidhje me tenderat e zhvilluar gjatë kohës që ai mbante funksionin e lartë në AKSHI. Policia njoftoi se kallëzimi për zhdukjen e tij u bë më 20 gusht, rreth orës 17:00, në Komisariatin Nr. 1 nga nëna e tij, M. Sh., e cila raportoi se kishte humbur kontaktet me djalin 34-vjeçar.
Autoritetet kanë deklaruar se po vijojnë verifikimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
