Një parakalim i gabuar dhe një manovër e rrezikshme në aksin Shkodër-Kryebushat çuan në një tragjedi që i mori jetën 42-vjeçarit Altin Luli dhe la dy fëmijët e tij dhe gruan të plagosur. Ngjarja ndodhi më 18 gusht rreth orës 12:47minuta, kur një parakalim i gabuar nga ana e shoferes Anxhela Hasaj, shkaktoi një përplasje të rëndë që perfundoi me nje aksident te shumefishte.
Sipas hetimeve të kryera nga policia rrugore, Anxhela Hasaj, e cila udhëtonte me një automjet tip “Benz”, kryente një parakalim të gabuar në një aks rrugor me vijat e pandërprera. Manovra e saj e gabuar e çoi në një përplasje me kamionin që drejtohej nga Hilmi Shkrela. Për pasojë, pasi ky i fundit ishte duke udhëtuar me shpejtësi të lartë, ai humbi kontrollin mbi mjetin dhe rimorkio e ngarkuar me tjegulla ra mbi automjetin e familjes Luli.
Në vendngjarje humbi jetën Altin Luli, ndërsa bashkëshortja e tij, Lizeta Serreqi, dhe dy fëmijët e mitur u dërguan menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Pas trajtimit të parë, një nga fëmijët, vajza e mitur, u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të frakturës që kishte pësuar. Pas mbërritjes në Tiranë, ajo u nënshtrua një operacioni të specializuar.
Pasi ngjarja shkaktoi një tragjedi të madhe, Anxhela Hasaj dhe shoferi i kamionit, Hilmi Shkrela, u arrestuan dhe iu caktuan masa sigurie. Në seancën gjyqësore të zhvilluar para Gjykatës së Shkodrës, Hasaj kërkoi një masë më të lehtë sigurie, si arresti në shtëpi, duke ofruar garanci pasurore për të mbështetur kërkesën e saj. Mirëpo, gjykata vendosi që ndaj saj dhe Shkrelës të caktohej masa e sigurisë “arrest në burg” për një periudhë 30-ditore, derisa të mbaronin hetimet dhe të zhvillohej procesi gjyqësor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re