Gazetari dhe analisti i njohur Artur Zheji u nda nga jeta në mënyrë të papritur si pasojë e një arresti kardiak. Zheji u nda nga jeta të shtunën në moshën 64-vjeçare, ndërsa ishte në Sarandë me pushime me familjen.
Analisti i njohur në median shqiptare, Artur Zheji do të përcillet në banesën e fundit këtë të hënë.
Homazhet do të mbahen në Akademinë e Arteve nga ora 10 deri në orën 12 dhe më pas do të përcillet në banesën e fundit pranë varrezave të Tufinës.
Artur Zheji ka një kontribut të çmuar në mediat shqiptare si gazetar, analist dhe gjithashtu drejtues i emisionit “360 Gradë” në ABC News.
Prej shkurtit 2024 dhe deri në fund të muajit korrik të këtij viti, kur pati programin e fundit, ai drejtoi emisionin “360 gradë” në televizionin ABC News, një tryezë debati dhe analize për çështjet e ditës, zhvillime të rëndësishme të politikës dhe aktualitetit shqiptar si dhe për ngjarje të arenës ndërkombëtare.
Më herët Artur Zheji ka drejtuar emisione edhe në televizione të tjera shqiptare apo ka qenë pjesë e paneleve të analistëve në studio televizive. Po ashtu Zheji për shume vite ka shkruar si gazetar e publicist në gazeta dhe media online si dhe ka mbajtur poste drejtuese në media.
Artur Zheji ishte djali i përkthyesit dhe shkrimtarit të njohur Petro Zheji dhe aktores Besa Imami.



