Vitet e fundit në Shqipëri po përhapet një fenomen shqetësues që ka marrë përmasa alarmante: fëmijë dhe adoleshentë të moshës 13–16 vjeç drejtojnë automjete me shpejtësi, duke u kthyer në shkaktarë të shumë aksidenteve tragjike.
Në çdo cep të vendit shihen të mitur në timon, që nuk e kursejnë gazin, xhirojnë goma, bëjnë parakalime të gabuara dhe shpesh sfidojnë shoferët e tjerë me sjellje arrogante e të rrezikshme. Ky aventurizëm adoleshentësh jo vetëm që u merr jetën atyre, por edhe njerëzve të pafajshëm.
Rastet janë të shumta:
Në Qafë-Koshovicë, në Fier, një aksident tragjik solli humbje jete vetëm për shkak të shpejtësisë së lartë.
Në Plyk të Fierit, tre adoleshentë humbën kontrollin e mjetit dhe dolën nga rruga, ku një 16-vjeçar nuk arriti të mbijetojë.
Ngjarja më e fundit ndodhi sot sërish në Fier, ku një adoleshent me shpejtësi përplasi një këmbësor 35-vjeçar, babai i tre fëmijëve, i cili ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetën.
Këto janë vetëm disa nga ngjarjet e fundit, ndërsa numri i rasteve në gjithë vendin është tronditës. Kjo situatë duhet të jetë një sirenë alarmi jo vetëm për prindërit që u japin fëmijëve makinat në këtë moshë, por edhe për Policinë e Shtetit, e cila duhet të marrë masa më të forta.
Çdo timon i dhënë në duart e një të mituri është një rrezik i drejtpërdrejtë për jetën. Jeta nuk është lojë dhe rruga nuk është pistë shpejtësie.
Prindër, mos u bëni bashkëfajtorë në tragjedi që mund të shmangen. Institucione, mos e lini shoqërinë në mëshirë të fatit.
Asnjë jetë e pafajshme nuk duhet të shuhet nga papërgjegjshmëria./nga “Çaku Tafa”
