Një stuhi e fortë me shi, breshër dhe erëra që tejkalonin 100 kmh, goditi Romagna në Itali gjatë natës duke shkaktuar dëme serioze në të gjitha provincat. Përmbytje, qindra pemë të rrëzuara, dhjetëra automjete të dëmtuara dhe dëme në të gjitha resortet e plazheve dhe të mbjellat, u shkaktuan nga shiu, erërat e forta dhe breshëri.
Nuk raportohen persona të lënduar ose të humbur, por situata mbetet në zhvillim dhe operacionet e shpëtimit vijojnë, shkruan Il Corriere della Sera. Rajoni i Emilia-Romagna po përgatitet që të shpallë gjendjen e emergjencës rajonale, ndërsa dëmi përgjatë bregut pritet të vlerësohet.
Provincat e Rimini, Forlì-Cesena dhe Ravenna ishin ndër më të goditurat. Mbi 70 milimetra shi dhe shkulme ere me shpejtësi deri në 120 kmh ranë në zonat e prekura brenda 30-60 minutave.
Në Rimini, u përmbytën shtatë nënkalime që pritet të rihapen në orët në vijim. Qendra e zjarrfikëses rajonale ka marrë mbi 300 raportime dhe kërkesa për ndërhyrje lidhur me pemët, degët e rëna dhe përmbytjet. Janë dërguar dhjetë ekipe me zjarrfikës dhe gjashtë të Mbrojtjes Civile Provinciale.
23 persona u evakuuan nga një tren i ngecur në linjën Rimini-Ravenna pasi një pemë kishte rënë në hekurudhën pranë Bellaria-Igea Marina.
Në Milano Marittima, disa zona u blllokuan nga përmbytjet dhe pemët e rrëzuara, rreth 265 në total që goditën dhe dëmtuan dhjetëra makina të parkuara.
Në plazhe ka gjithashtu dëme serioze: çadra të thyera, struktura të shkatërruara. Megjithatë, në zonat e tjera plazhi dhe turizmi kanë vijuar pasi shërbimi nuk është ndalur në hapësirat e padëmtuara përgjatë rivierës.
Departamenti i Mbrojtjes Civile ka shpallur alarmin e verdhë për ditën e sotme. Nuk priten reshje të tjera, por situata mbetet në vëzhgim. Pritet që shiu të bjerë në zonën e Apenineve të Emilia-Romagna.
