Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim, rreth orës 11:30 të kësaj të mërkure flakët janë riaktivizuar sërish.
Gazetari i ABC News, Elton Nika raporton se në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, si dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura që po asistojnë në monitorimin dhe shuarjen e zjarrit.
Deri më tani, flakët kanë qëndruar të ndezura për gati 48 orë, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha. Shefi i zjarrfikësve Luan Kapaj shprehet për situatën dhe monitorimin, pasi nga momenti në moment mund të ketë riaktivizim të vatrave për shkak të erës.
Ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet në vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që flakët të kalojnë kanalin e hidrovorit dhe të përhapen në zonën tjetër të pyllit, e cila është e dendur dhe e vështirë për ndërhyrje.
