Skip to content

Nga fermeri te importet/ Ja si do kontrollohen ushqimet sipas ligjit të ri, Qeveria ashpërson rregullat

ushqime 1 750x375 1

Tre institucione të kontrollit të sigurisë ushqimore do të shkrihen dhe tre të reja do të ngrihen për të njëjtin qëllim.

Ministria e Bujqësisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri “Për Kontrollet Zyrtare”, në të cilin është detajuar mënyra e re e kontrollit të sigurisë ushqimore, nga produktet bimore e deri te nënproduktet shtazore, me qëllim “ushqime më të sigurta” për konsumatorët, por edhe për kafshët.

Kontrollet nuk do të kryhen më nga AKU, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, apo Agjencia Kombëtare e Veterinarisë. Kompetencat e tyre janë riorganizuar, duke u strukturuar në tre institucione të reja:

  • Institucioni i Kontrollit Zyrtar do të mbikëqyrë subjektet që operojnë në vend, me një shtrirje të gjerë, nga bujqësia në blegtori.

  • Institucioni i Kontrollit Kufitar do të funksionojë vetëm në pikat kufitare.

  • Ndërsa Institucioni i Aktiviteteve të Tjera do të mbulojë aspektet e mbetura në fushën e sigurisë ushqimore.

Projektligji i ri parashikon që kontrollet të kryhen vetëm mbi bazë risku, të cilat janë të listuara në pikën 11 të nenit 9 të projektligjit.

“IPKZ kryen rregullisht kontrolle zyrtare në të gjithë operatorët, mbi bazë të riskut dhe me një frekuencë të përshtatshme, duke marrë parasysh:

a) rreziqet e identifikuara që lidhen me:
i) kafshët dhe mallrat;
ii) aktivitetet nën kontrollin e operatorëve;
iii) vendndodhjen e aktiviteteve ose veprimtarisë së operatorëve;
iv) përdorimin e produkteve, proceseve, materialeve ose substancave që mund të ndikojnë në sigurinë e ushqimit, integritetin dhe cilësinë e tij, apo sigurinë e ushqimit për kafshët, shëndetin dhe mirëqenien e tyre, si dhe shëndetin e bimëve. Në rastin e OMGJ-ve dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve, vlerësohet gjithashtu ndikimi i mundshëm negativ në mjedis.”

Në nenin 9 thuhet se për të kryer kontrolle në subjekte duhet të jenë identifikuar më parë rreziqe që lidhen me cenimin e sigurisë ushqimore, të ketë informacione për mundësi mashtrimi të konsumatorëve, si dhe të merret parasysh historiku i operatorëve, bazuar në rezultatet e kontrolleve zyrtare të mëparshme.

“Kontrollet zyrtare kryhen pa njoftim paraprak, përveç rasteve kur njoftimi është i nevojshëm dhe i justifikuar. Në kontrollet zyrtare me kërkesë të operatorit, autoriteti kompetent mund të vendosë nëse kontrolli zyrtar kryhet me ose pa njoftim paraprak”, thuhet në pikën 4 të nenit 9 të draftit.

Kontrollet duhet të realizohen përpara se produktet të hidhen në treg, ndërsa për bagëtitë parashikohen analiza përpara se të shkojnë në thertore. Gjithashtu, pjesë e kontrolleve do të jenë edhe produktet që vijnë nga importi apo ato që eksportohen në pikat e kontrollit kufitar. Këto pika do të miratohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë.

Por kontrollet për sigurinë ushqimore nuk do të jenë vetëm në dorë të shtetit. Projektligji i ri ka krijuar hapësirë për të kontraktuar edhe operatorë privatë në mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore, nga bimët deri te kafshët.

“Trupë e deleguar” nënkupton një person juridik të veçantë, të cilit autoritetet kompetente i kanë caktuar detyra të caktuara të kontrollit zyrtar ose detyra të caktuara që lidhen me aktivitete të tjera zyrtare”, thuhet në pikën 50 të nenit 3.

Këto subjekte private, sipas nenit 30, që do të jenë të ngarkuara me kontrollin e bizneseve bujqësore apo blegtorale, duhet të raportojnë sa herë t’u kërkohet tek autoritetet kompetente për rezultatet e kontrolleve zyrtare.

Projektligji parashikon gjoba të kripura për bizneset që abuzojnë me sigurinë ushqimore të bimëve dhe kafshëve. Ato do të variojnë nga 100 mijë lekë deri në 2 milionë lekë (ose rreth 20 mijë euro), në rastin kur subjekti operon i paregjistruar.

Ky projektligj parashikon të plotësohet me aktet nënligjore brenda dy viteve dhe të nisë zbatimin e tij të plotë më 1 gusht 2027.