Pronari i një objekti në zonën e Kombinatit i kallëzoi në polici 4 punonjësit e IMT-së, se i vajtën në biznesin e tij, ku konstatuan një tendë që përdorej për lokalin e vendosur brenda oborrit të banesës. Pas konstatimit, e kanë njoftuar se do të prishet pasi është pa leje.
Pasi largohen, njëri prej tyre kthehet pas disa minutash dhe takon pronarin (kallëzuesin) duke i thënë se i ofron marrëveshje që në këmbim të 1000 eurove, nuk do ia prishnin tendën. Ky i fundit menjëherë kallëzoi në polici, ku kjo e fundit mori autorizim nga SPAK për përgjime e vëzhgime ambientale si dhe simulim të dhënies së parave (dorëzimi i kontrolluar).
Njoftimi zyrtare i Policisë së Shtetit:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira publike“, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në drejtimin e SPAK-ut.
Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të një procedimi të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funskione publike“ dhe “Shpërdorimi i detyrës“, të kryera në bashkëpunim, finalizoi operacionin e koduar “Hapësira publike“.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua në flagrancë shtetasi G. F., 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë;
-nisi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë;
-u shpall në kërkim shtetasi K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.
Punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjme.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Shuma e parave është vendosur në dispozicion nga policia, e cila ia ka dhënë kallëzuesit t’ua jepte. Gjatë kësaj kohe, kur shuma e parave iu dorëzua njërit prej punonjësve të IMT, përkatësisht Klajdi Zhillës, 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali në afërsi të objektit në pronësi të Mark Frrokut që nuk ka qenë objekt hetimi por rastësor.
Drejt kësaj adrese Zhilla u largua me një automjet tip “Audi”. Brenda këtij lokali kanë mbërritur punonjësit e policisë ku brenda mes të tjerëve ndodhej Geraldo Fuçia. Punonjësit e IMT kanë kuptuar prezencën e policisë dhe kanë lënë paratë në banakun e lokalit, Klajdi Zhilla arriti të largohej ndërsa 3 të tjerët u ndaluan.
Nga 3 të ndaluarit, vetëm Geraldo Fuçia mbahet në arrest ndërsa u shpall në kërkim Klajdi Zhilla, pasi për dy të tjerët nuk u gjetën prova. Policia sekuestroi paratë që u gjetën në banakun e lokalit, të cilat konvenonin me numrat serial të monedhave që policia i dha kallëzuesit.
