Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për situatën në Gaza. Përmes një deklarate zyrtare, përfaqësuesit e pesë komuniteteve fetare në vend, iu bashkohen thirrjeve ndërkombëtare, për përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimin e pengjeve. Këshilli Ndërfetar dënon përpjekjet për të shpërngulur palestinezët nga Rripi i Gazës, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.

“Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti. Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.”

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë thekson se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.

“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.”

Më 7 tetor të vitit 2023, militantë të Hamasit, organizatë që kontrollon Rripin e Gazës, të shpallur nga perëndimi si terroristë u futën brenda territorit izraelit duke vrarë mbi 1000 persona dhe morën peng 251 persona. Pas sulmit të Hamasit, Izraeli nisi një operacion të gjerë ushtarak në Gaza.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re