Skemat piramidale online nuk janë shfaqur tani, ato kanë tre vite që operojnë në Shqipëri.
Këto platforma janë bërë aq shumë të besueshme sa vetëm gjatë muajit gusht, grupi TXEX ALBANIA ka grumbulluar nga qytetarët shqiptarë afërsisht 20 milionë dollarë, dhe këtë denoncim e bën eksperti i IT-së, Gent Progni, i cili ka zbuluar portofolin e tyre.
Por kjo nuk është platforma e vetme në Shqipëri. Monetarisht janë edhe 6 të tjera që po mundohen të joshin shqiptarët duke u premtuar dyfishimin e parave të hedhura, por me një kusht: çdo depozitë nuk është më e vogël se 1000 euro. Por që këto para t’i tërheqësh, mashtruesit vendosin një tjetër detyrim – të shtosh në grup pesë anëtarë të rinj.
E më pas, për të rritur besueshmërinë, të japin mundësinë të tërheqësh paratë. Dhe lokacionet nuk mungojnë – burime për Top Channel bëjnë me dije se në qytetin e Lushnjës, paratë e skemës piramidale qarkullojnë në një bar-kafe.
Skema e mashtrimit pranohet edhe nga vetë AKSK dhe nga Policia e Shtetit, ku në një reagim zyrtar kjo e fundit thotë se është nisur një hetim penal mbi platformat që të ofrojnë para pa punuar.
Gent Progni thotë: “Ligjërisht, shteti ynë ka të drejtë t’u kërkojë kompanive bllokimin e portofoleve, pasi nëse bëhet kjo, është dhe mundësia për t’i kthyer paratë – ku gjendet edhe IP-ja, telefoni. Ajo që më shqetëson mua është që ne kemi një institucion për krimin kibernetik që quhet AKSK, dhe duhet ta kishte vënë re këtë gjë shumë kohë më parë.”
Edhe pse tashmë kjo skemë është bërë publike, ata vazhdojnë punën e tyre, duke u kërkuar qytetarëve shqiptarë 400 dollarë për të siguruar llogarinë e tyre – në të kundërt, nuk lejohet asnjë tërheqje./TCH
