Skip to content

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ekstradohen nga Italia dhe Gjermania dy shqiptarët

Janë ekstraduar nga Italia dhe Gjermania, dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ekstradohet nga Italia, një person i cili gjatë muajit shkurt 2024, kanosi në mënyrë të përsëritur, për shkak të detyrës, gjyqtarin e Gjykatës Administrative Lushnjë.

“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit H. Xh., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,  në vitin 2024, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi H. Xh. akuzohet se gjatë muajit shkurt 2024, ka kanosur në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, shtetasin E. L., gjyqtar i Gjykatës Administrative Lushnjë, si dhe ka protestuar para Gjykatës së Lartë”, njofton policia.

Gjithashti është ekstraduar nga Gjermania, një tjetër shtetas i kërkuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

“Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me homologët gjermanë, u finalizua ekstradimi nga Gjermania, i shtetasit shqiptar B. S., 34 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shtetasi B. S. akuzohet për shitje të dozave të kokainës, në qytetin e Pogradecit”, njofton më tej policia.

Shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.