Fax News ka mësuar se një numër i madh qytetarësh janë bërë pre e një platforme të dyshimtë investimi në kriptovaluta, e vetëquajtur TXEX, e cila po operon në mënyrë ilegale në Shqipëri.
Pas denoncimeve të shumta në rrjete sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike reagoi duke theksuar se TXEX mbart të gjitha tiparet e një skeme mashtruese digjitale. Sipas këtij institucioni, platforma nuk është e regjistruar apo e licencuar në vend, duke vepruar jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar.
Gazetari i Fax News, Marsel Vocaj, zhvilloi një intervistë me një prej qytetarëve që ka rënë pre e kësaj skeme. Viktima rrëfen sesi u përfshi në këtë rrjet mashtrues, i cili kujtonte shumë firmat piramidale të viteve ’90, por tashmë të përshtatura me realitetin digjital të vitit 2025.
Fillimisht, TXEX iu prezantua si një “lojë tepër fitimprurëse”. Platforma shfaqej si e fokusuar vetëm tek investimet në kriptovaluta, ndërsa anëtarët e rinj tërhiqeshin nga dëshmitë e atyre që ishin regjistruar më herët dhe që pretendonin se kishin përfituar shuma të mëdha.
Regjistrimi ishte i ndërlikuar dhe kërkonte dorëzimin e të dhënave personale, përfshirë fotografinë e fytyrës, pashaportën dhe dokumente të tjera identifikimi. Për t’u bërë pjesë e platformës, çdo përdorues duhej të depozitonte fillimisht 800 euro ose dollarë.
Në fillim, gjithçka dukej e rregullt, por mashtrimi u bë i dukshëm kur TXEX kërkoi edhe një pagesë shtesë prej 400 dollarësh, me pretendimin se vetëm kështu do të mundësohej tërheqja e fondeve të bllokuara. Viktima pohon se në total ka humbur mbi 5 mijë dollarë, pa marrë asnjë qindarkë mbrapsht.
Mashtruesit që qëndrojnë pas kësaj platforme përdorin një strategji të njohur:hapin grupe në Telegram, WhatsApp dhe Signal, ku kushdo mund të anëtarësohet,
përdorin reklama joshëse në Instagram dhe TikTok për të tërhequr vëmendjen,
shfaqin fitime të fabrikuara për të krijuar besueshmëri,
kërkojnë pagesa shtesë për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”,
grumbullojnë dokumente peronale si fotografi, ID, pasaporta që në një të ardhme mund të përdoren edhe për qëllime kriminale.
Deputeti socialist Erjon Braçe ka qenë i pari që ka denoncuar publikisht funksionimin e këtyre skemave, ndërsa deri më tani nuk ka një kallëzim të drejtpërdrejtë në Policinë e Shtetit.
