Skip to content

Kërcënoi me armë dy punonjëset e hotelit të tij/ Gjykata e Vlorës lë në burg Emanuel Shkëmbin

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për  Emanuel Shkëmbin, i cili akuzohet për kanosje me armë zjarri ndaj dy punonjësve të tij. Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, kur Shkëmbi, pas një konflikti të brendshëm dhe banal , ka nxjerrë një armë tip pistoletë dhe ka kërcënuar punonjësit duke i vënë në rrezik serioz për jetën.

Seanca gjyqësore u mbajt ditën e djeshme nën drejtimin e gjyqtarit Ertil Meçaj. Prokurori i çështjes paraqiti provat dhe kërkoi që ndaj Shkëmbit të caktohej masa arrest në burg gjë që u pranua edhe nga gjyqtari i çështjes , Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit, duke vendosur që i pandehuri të mbahet në qeli deri në përfundimin e hetimeve.

Pas shpalljes së vendimit, Emanuel Shkëmbi u transferua menjëherë në drejtim të burgut të Fierit, ku do të vuajë masën e sigurisë. Burime pranë hetuesve bëjnë të ditur se armën e përdorur në ngjarje e ka pasur pa leje dhe pritet që ndaj tij të rëndojnë edhe akuza të tjera për armëmbajtje pa leje.

Ngjarja ndodhi tre ditë më parë ku falë ndërhyrjes së policisë u parandalua përshkallëzimi i situatës. Burime bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur për arsye banale .

Hetimet mbi këtë rast pritet të zbardhin motivet që çuan në përshkallëzimin e konfliktit dhe rrethanat e sakta të kanosjes.