Skip to content

Kthimi i fëmijëve në çerdhe dhe kopshte

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, një ndër sfidat më të ndjeshme është rikthimi i fëmijëve të vegjël në ambiente si çerdhet, kopshtet dhe për herë të parë, në klasën e parë. Për këtë arsye, psikologia Erjona Berdica, në një intervistë për Fax News, ndau disa këshilla të rëndësishme për prindërit dhe edukatorët, në lidhje me mënyrën se si duhet të menaxhohet ky tranzicion i ndjeshëm për fëmijët.

Sipas saj, ambientet e reja mund të krijojnë ndjesi pasigurie, ankthi apo stres tek fëmijët, sidomos ata që hyjnë për herë të parë në sistemin arsimor. Prandaj, futja në çerdhe apo kopsht duhet të bëhet në mënyrë graduale, dhe jo menjëherë me orar të plotë nga ora 08:00 deri në 16:00.

“Rehabilitimi në çerdhe duhet të nisë me orë të shkurtuara. Fillimisht, fëmijët mund të qëndrojnë për 30 minuta, më pas 1 orë, e kështu me radhë, derisa të ndihen të sigurt dhe të përshtaten me ambientin dhe kujdestarët e rinj”, thekson psikologia Berdica.

Ajo thekson se çdo fëmijë ka ritmin dhe mënyrën e vet të përshtatjes, ndaj është e rëndësishme që prindërit dhe edukatorët të jenë të vëmendshëm ndaj veçorive individuale të secilit fëmijë.

“Ka fëmijë që përshtaten shpejt dhe nuk kanë asnjë vështirësi në ambient të ri, por ka edhe fëmijë të tjerë që përjetojnë ankth, tërheqje emocionale apo sjellje agresive, dhe kjo shpesh ndikohet edhe nga faktorë të jashtëm”, u shpreh Berdica.

Sipas saj, një ndër faktorët që ndikon në vështirësitë e bashkëpunimit social tek fëmijët është ekspozimi i zgjatur ndaj teknologjisë, si telefoni, laptopi apo tableti. Mungesa e ndërveprimit real me persona të tjerë bën që fëmijët të zhvillojnë më pak aftësi komunikimi dhe të shfaqin më shumë vështirësi për t’u përshtatur në grupe.

“Kur një fëmijë nuk është mësuar të komunikojë, çdo gjë që kërkon e shpreh me të bërtitura, sepse nuk di mënyra të tjera për të shprehur veten dhe nevojat e tij”, tha psikologia.

Në përfundim, ajo apeloi që prindërit të mos nxitohen, të tregojnë durim dhe mirëkuptim, duke ndihmuar fëmijët që të ndërtojnë me qetësi lidhjen e parë emocionale me ambientin arsimor.