Papa Leo XIV bëri thirrje për t’i dhënë fund “pandemisë së armëve”, duke shprehur hidhërimin e tij për “fëmijët e panumërt që vriten dhe plagosen” në të gjithë botën, gjatë lutjes javore në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.
“Ne përfshijmë në lutjet tona fëmijët e panumërt që vriten dhe plagosen çdo ditë në të gjithë botën. Le t’i lutemi Zotit që t’i japë fund pandemisë së armëve, të mëdha dhe të vogla, që po infekton botën tonë”, tha ai, në një deklaratë në anglisht.
Papa amerikan gjithashtu i kërkoi “askujt të mos i nënshtrohet indiferencës” përballë luftës në Ukrainë, tre ditë pas një sulmi rus në Kiev që vrau të paktën 25 persona, përfshirë katër fëmijë, duke përsëritur “thirrjen e tij këmbëngulëse për një armëpushim të menjëhershëm dhe një angazhim serioz për dialog”.
“Është koha që ata që janë përgjegjës të heqin dorë nga logjika e armëve dhe të angazhohen në rrugën e negociatave dhe paqes, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.
Leo XIV iu referua gjithashtu sulmit të armatosur të kryer të mërkurën e kaluar gjatë një shërbese në një shkollë në Minesota, SHBA, në të cilën u vranë dy fëmijë.
Kështu, në mesazhin e radhës anti-luftë, kreu i botës katolike zgjodhi t’i mëshojë Ukrainës e jo Gazës. Te e para ka luftë, te e dyta ka gjenocid. /tesheshi.com/



