A ka dokumente të brendshme të Ministrisë së Shëndetësisë që u bëjnë thirrje shërbimeve shëndetësore rajonale franceze të përgatiten për një “konflikt të mundshëm në shkallë të gjerë”?
Disa ditë më parë, një artikull në gazetën Le Canard Enchaîné shkaktoi shqetësim në Francë, duke zbuluar se dokumente të brendshme nga Ministria e Shëndetësisë u bëjnë thirrje shërbimeve rajonale shëndetësore të vendit të përgatiten për një “konflikt të mundshëm në shkallë të gjerë” deri në mars 2026.
Në këto dokumente, të datës “18 korrik 2025”, Ministria e Shëndetësisë përshkruan një skenar në të cilin Franca mund të bëhet një “bazë mbështetëse” për një konflikt të tillë, duke pritur një numër të madh ushtarësh të plagosur, si të huaj ashtu edhe vendas.
Sipas Le Figaro, si pjesë e këtij skenari, Ministria e Shëndetësisë po shqyrton krijimin e qendrave mjekësore pranë porteve ose aeroporteve për të lehtësuar transportimin e ushtarëve të plagosur në shtëpi. Dokumentet përmendin gjithashtu veprime të tilla si trajnimi i personelit shëndetësor “mbi vështirësitë e luftës, siç janë mungesa e burimeve, nevojat në rritje dhe reagimet e mundshme në tokën franceze”, si dhe trajtimi për “çrregullimet post-traumatike dhe rehabilitimi fizik”.
Siç thekson gazeta franceze, në kontekstin aktual të tensionit global dhe me një aleancë të vendeve evropiane “të gatshme” t’i ofrojnë mbështetje ushtarake Ukrainës, këto udhëzime nga Ministria e Shëndetësisë ngrenë pyetje.
Megjithatë, pavarësisht faktit se një konflikt i përgjithësuar me intensitet të lartë në kontinentin evropian nuk duket më një skenar kaq i largët, këto veprime parandaluese të kryera bashkërisht nga Ministritë e Mbrojtjes dhe Shëndetësisë nuk janë në thelb asgjë e re.
Në një deklaratë për Le Figaro, Qendra e Krizave Shëndetësore e Ministrisë Franceze të Shëndetësisë kujton se misioni i saj “është të parashikojë rreziqet dhe kërcënimet me të cilat mund të përballet sistemi i kujdesit shëndetësor”. Këto kërcënime përfshijnë epidemi, rreziqe mjedisore (me rritjen e ngjarjeve ekstreme të motit), apo edhe “akte keqdashëse, me sistemin e kujdesit shëndetësor që përgatitet për të përballuar një fluks viktimash”, dmth., sulme të mundshme terroriste.
Letra e dërguar Shërbimeve Rajonale Shëndetësore është më konkretisht pjesë e “punës së përbashkët” të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë dhe Drejtoria Qendrore e Shërbimit Shëndetësor të Forcave të Armatosura për të “parashikuar nevojat e kujdesit shëndetësor të popullsisë, duke integruar nevojat specifike të mbrojtjes në sektorin e kujdesit shëndetësor”, shton Ministria e Shëndetësisë.
“Ndër rreziqet e identifikuara, pra, është skenari i një angazhimi të madh ushtarak në të cilin çështja e kujdesit shëndetësor do të ishte trajtimi i një numri potencialisht të madh viktimash nga jashtë”, shpjegon ministria. “Këto janë projekte në të cilat kemi punuar për një ose dy vjet,” shpjegon Catherine Bertrand, presidente e Shoqërisë Franceze të Mjekësisë së Fatkeqësive.
“Nuk ka asgjë të pazakontë.
Ne parashikojmë skenarë që mund të na habisin nëse nuk jemi të përgatitur, siç është mundësia e luftës. Ky skenar nuk përfshin domosdoshmërisht një sulm ndaj Francës, por edhe mundësinë që vendi të goditet nga një sulëm i vëndeve aleate.”
