Shqipëria me pagën minimale më të ulët në Europë në qershor, 34% më pak se mesatarja e rajonit

Paga minimale mujore bruto në Shqipëri ishte 408 euro në fund të muajt qershor, sipas të dhënave të fundit të përditësuara nga Instituti Europian i Statistikave, Eurostat.

Në këtë nivel, paga minimale është jo vetëm më e ulëta në Europë (përjashtuar shtetet e ish Bashkimit Sovjetik), por dhe shumë më pak sesa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Paga më e lartë minimale në rajon është në Mal të Zi, me 670 euro në muaj. Në krahasim me katër vjet më parë, ky nivel është dyfishuar.

 

Për herë të parë pas disa vitesh, Eurostat ka përditësuar të dhënat për Maqdoninë e Veriut, duke raportuar një nivel prej 584 euro/muaj. Shifrat për Kosovën dhe Bosnjën nuk janë të disponueshme. Të dhëna të tjera bëjnë të ditur se paga minimale në Kosovë nga 1 tetori i bë 350 euro. Në Bosnjë, në të dy federatat varion nga 511-660 euro/muaj.

Të tre shtetet, Mali i ZI, Serbia, i paguajnë minimalisht punonjësit e tyre me rreth 620 euro në muaj. Në Shqipëri paga minimale është rreth 34% më e ulët sesa mesatarja e këtyre tre shteteve.

Në Shqipëri paga minimale nuk ka ndryshuar që nga 6 mujori i parë 2023, pasi ishte rritur disa herë në 2022-n, për të arritur në 40 mijë lekë, sa është edhe sot.

Në tabelën e Eurostat, paga minimale në Shqipëri është rritur fiktivisht nga 376 euro në 6 mujorin e parë 2023 në 408 euro sot për shkak të zhvlerësimit të euros, kur realisht fuqia blerëse ka rënë për shkak të çmimeve që janë më të shtrenjta në rajon dhe për ushqimet më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian.