Analisti Skënder Minxhozi komentoi për ‘Tirana Live’ mbledhjen e Ramës dhe Ballukut me drejtuesit e ujësjellësve nëpër qarqe si dhe për krijimin e një operatori për çështjen e furnizimit me ujë. Minxhozi tha se reforma për ujin është tepër pozitive dhe se duhet të ishte zgjidhur me kohë.
“Çështja e ujit të pijshëm duhet të ishte zgjidhur me kohë dhe ky takim është një mbledhje rripash, mund të sjellë efekte pozitive. Mënyra sesi kryeministri dhe zëvendëskryeministrja e parashtruan reformën, të lë të shpresosh që do të ketë një tjetër zgjidhje. Duhet që edhe drejtësia të thotë fjalën e saj siç u tha sot nga kryeministri.”
Analisti Minxhozi tha më tej se angazhimet e qeverisë Rama me goditjen e ndërtimeve pa leje, reformën për mbetjet dhe sot për ujin e pijshëm, kanë të bëjnë me konkretizimin ndaj problematikave të qytetarëve.
“Ka një urgjencë për të qenë konkret në qeverisje, që institucionet të mos shohin retë por të shohin çfarë ndodh me problemet e përditshme. Fillesat e kësaj qeverie të re ende pa marrë formë, mendoj se konkretizimi i goditjeve të tij për ndërtimet pa leje, më pas qasja ndaj mbetjeve dhe sot për ujin e pijshëm mund të krijojë qeveri që pas shtatori të ketë qasje më konkrete ndaj problematikave që përkon me kërkesat konkrete në negociatat me BE. “
