Skip to content

VIDEO/ Sherri masiv në lokal me 3 të plagosur, Gjykata jep masën e sigurisë për 9 të arrestuarit! Një prej të lënduarve ende në spital

Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë për 9 nga 10 personat e arrestuar lidhur me sherrin masiv brenda një lokali në Korçë.

Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 54-vjeçarin Dritan Pino, e cila u pranua nga gjykata duke e lënë pas hekurave këtë të fundit.

Për 8 të arrestuarit e tjerë, konkretisht Petrika Ropi, Ilir Shukulli, Rafail Kocaqi, Salvi Asllan, Mihal Zhidro, Serxho Mema, Gersi Dervishi dhe Kristi Lamcce, prokuroria kërkoi masën “detyrim paraqitje”, e cila po ashtu u pranua nga gjykata.

Për të arrestuarin Sotiraq Shkurti, i cili mbeti i plagosur gjatë sherrit, masa do të zhvillohet në ambientet e spitalit rajonal të Korçës pasi ndodhet ende në kujdesin e mjekëve.

Sherri ndodhi më 31 Gusht ndërsa pamjet e publikuara nga Panorama.al tregojnë momentet e konfliktit, si pasojë e të cilit mbetën të plagosur me thikë 3 persona.

Në pak minuta sherri verbal mes dy grupeve është kthyer në një konfrontim fizik që ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve të lokalit, shkopinje të bejsbollit, si edhe thikës.

Gjithçka ka ndodhur brenda ambienteve të lokalit ku ndodheshin edhe klientë të tjerë, të cilët janë larguar të tmerruar.

Mendohet se shkaku i përplasjes kanë qenë motive banale, ndërsa një pjesë e të përfshirëve kanë qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes.