Administratori i “International Medicare”, spital privat i cili dikur mbante emrin “Sante Plus Albania”, është arrestuar nga policia pasi u zbulua se subjekti nuk kishte deklaruar 1 milionë euro fitime.
Në pranga ka rënë 62-vjeçari Edmond Zaja, si dhe u shpallën në kërkim dy bashkëaksionerët, shtetasi turk Bilal Kara, 45-vjeç dhe Geriana Arapi, 32-vjeçe.
Sipas policisë, nga hetimet dhe kontrollet në spitalin “International Medicare”, që ndodhet në Zog të Zi, Tiranë, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1.000.000 euro gjatë periudhës 2024-2025.
Gjithashtu, informuan blutë, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar 5 shtetas pa u siguruar.
Gjatë operacionit u sekuestruan 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara dhe 6 njësi kompjuterike.
Policia po punon për kapjen e 2 bashkëaksionerëve të shpallur në kërkim, si dhe për provimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Bilanci”.
Si rezultat i administrimit disamujor të një informacioni të siguruar në rrugë policore, dokumentohen krime ekonomike dhe krime kundër shëndetit, të kryera për llogari të një spitali privat në Zog të Zi.
Nga hetimet dhe kontrollet rezultoi se:
-subjekti nuk kishte deklaruar fitime me vlerë mbi 1 000 000 euro, gjatë periudhës 2024-2025;
-shërbimet spitalore në këtë subjekt kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim;
-në këtë subjekt punonin shtetas të pasiguruar.
Bllokohet subjekti.
Arrestohet administratori i spitalit privat.
Shpallen në kërkim 2 bashkaksionerët.
Sekuestrohen 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara dhe 6 njësi kompjuterike.
Gjatë operacionit “Bilanci”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62 vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45 vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32 vjeçe.
Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për provimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
