Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka shprehur skepticizëm të thellë ndaj ndryshimeve të paralajmëruara në kabinetin qeveritar nga kryeministri Edi Rama.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Boçi deklaroi se nuk pret ndonjë ndryshim real në drejtimin e vendit, duke theksuar se ekzekutivi është tërësisht i centralizuar në duart e Ramës.
“Treçerekun e kabinetit aktual qeveritar nuk e njoh, jo sepse më mungon interesi politik, por sepse aty nuk ka figura me zë, me autoritet apo që realizojnë politika të qarta,” – u shpreh Boçi.
Sipas tij, ministrat janë thuajse të padukshëm, pa rol real në qeverisje, pasi të gjitha vendimet dhe drejtimet politike merren nga vetë kryeministri.
“Gjithçka fillon dhe mbaron me Ramën. Ai është ai që jep urdhra edhe përtej ligjit, shpik çdo ligj për të marrë më shumë autoritet,” – shtoi më tej nënkryetari i PD-së.
Boçi akuzoi gjithashtu kryeministrin për krijimin e një strukture të mbyllur brenda qeverisë, ku vendimmarrja dhe përgjegjësia nuk shpërndahen, por përqendrohen në një “kupolë politike” të vogël.
