Skip to content

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk ka pushim

Lirimi i hapësirave publike, një nismë që i paraprin vizionit të qeverisë për Rilindjen Urbane 2.0, po vijon në të gjitha bashkitë e vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike nga qytetarët apo subjektet që i kishin zaptuar ato pa leje.

“S’ka pushim”, shkruan Kryeministri Rama, krahas pamjeve.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit, jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Puna ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet dhe vjen në kuadër të programit “Rilindja Urbane 2.0”.